Ahmetaj: Energjia nuk shtrenjtohet

30/10/2014 00:00

Qeveria ka nisur prej disa ditësh një operacion mbarëkombëtar për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme në sistemin energjitik.

Operacioni i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike mbështetet nga Policia e Shtetit dhe në tri ditët e para janë raportuar dhjetra persona të arrestuar për vjedhje energjie, por nuk mungojnë mes tyre as punonjës të sistemit që akuzohen për shpërdorim detyre.

E ndërsa mazhoranca e cilëson aksionin një rikthim në zbatimin e ligjit, opozita e sulmon atë si selektiv dhe që bëhet në një moment për të fshehur të vërtetën, që sipas saj është rritja e çmimit të energjisë.

Por cila është e vërteta? A është i vonuar ky aksion apo po kryhet në kohën e duhur? A është kjo rruga e duhur për të rivendosur rregull në këtë sektor problematik të ekonomisë shqiptare? Kush ka të drejtë, mazhoranca apo opozita?

Këtyre dhe të tjera pyetje iu dhanë përgjigjje përfaqësues të mazhorancës dhe të opozitës në takimin e kësaj të enjteje me Sokol Ballën në Top Story, ku të ftuar nga mazhoranca ishin Arben Ahmetaj, Ministër i Ekonomisë, Idlir Peçi, zv.Ministër i Drejtësisë dhe Ridvan Bode e Ivi Kaso nga opozita.

I pari që mori fjalën ishte Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Ai tha se aksioni është i vonuar por jo i nxituar për mënyrën se si po realizohet. “Kjo që po shikojmë do të jetë një mënyrë jetese e sistemit një marrëdhënie e re e një malli që është si gjithë mallrat e tjerë, kur konsumohet duhet paguajtur. Ka patur debat të madh për atë që po ndodh. Që në shtator erdhëm në zyra ishim të bindur që një nga problemet që qeverisja dhe ekonomia do të përballej ishte energjia në të gjitha dimensionet e veta. Në një moment vjedhjet shkonin në 52 përqind, gjysma e energjisë së hedhur fironte, nuk faturohej, një pjesë faturohej dhe nuk paguhej. Pas zgjidhjes së problemit me CEZ, në krye të 4 viteve situata do të jetë krejtësisht e ndryshme”, tha Ahmetaj.

Por për ish-Ministrin e Financave Ridvan Bode aksioni synon të fshehë rritjen e çmimit të energjisë për qytetarët.

“Për mënyrën se si po deklarohet një aksion i tillë me goditje të përqendruar, për përdorimin e policisë në shkallë të gjërë është në kohën e duhur dhe me qëllim, është në kohën e duhur për të rritur çmimin e energjisë elektrike. Heqja e fashës mbrojtëse, ku ishintë mbrojtur 74 përqind e shqiptarëve do të thotë që 74 përqind e shqiptarëve do të paguajnë një çmim 15-25 përqind më të lartë. Pas kësaj me mënyrën si i zgjidh kjo kontratë, duke hequr dorë nga Arbitrazhi, duke mos përfillur as konsulencën juridike që zgjodhëm, që tha se qeveria shqiptare minimumi duhet të kërkojë 500 mln euro dhe 100 mln euro. E gjithë kjo që po ndodh dhe në përdorimin abuziv të policisë së shtetit në energji është për të mbuluar atë që po ndodh në sektorin e energjisë. Nga tërheqja humbën jo vetëm me CEZ, por edhe investimet që kishim bërë”, deklaroi Bode.

Ministri Ahmetaj replikoi: Bode ka më shumë faj nga të gjithë për atë që ka ndodhur në sistemin energjitik. Momenti i CEZ, mund t’i hyj disa momenteve në sistemin e qeverisjes, të kap klientët tariforë dhe jotariforë. CEZ dështoi në Shqipëri sepse nuk zbatoi kontratën as CEZ-i as qeveria. CEZ-i investoi vetëm 12 mln, ndërsa qeveria nuk paguante faturat e saj tek CEZ.

Ahmetaj mohoi të ketë rritje të çmimit të energjisë. “Nuk ka rritje çmimi. Jemi duke bërë gjënë e duhur, nuk jemi duke fshehur asnjë rritje çmimi, por po i dalim problematikës përballë. Kjo është gjëja e duhur sot”, tha ai.

Deputeti demokrat u përgjigj sërish kur e cilësoi aksionin momental të cilin opozita nuk e mbështet.

“Është një aksion momental dhe nuk e mbështesim sepse po vihen në presion me polici dhe duke burgosur individë dhe në mënyrë selektive tolerohen individë të tjerë që kanë lidhje të paligjshme. Nuk biem dakort me këto. Lidhur me ato që tha zoti Ministër e para në qeveri ai ka pozicionin e tij dhe mbikqyrja e kontratës me CEZ ishte në duart e ministrave që sot i ka në kabinet sërish”, tha ai.

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Ivi Kaso e cilësoi aksionin kundër vjedhjes së energjisë elektrike propagandë. “Janë aksione propagandistike si ai kundër lojërave të fatit, ai i shembjeve të INUK që shembte ndërtimet e ligjshme në mënyrë selektive, edhe ky është një operacion propagandistik që bëhet për të fshehur rritjen e çmimit të energjisë. Jeni duke penalizuar qytetarët duke mos bërë kategorizimin e abuzuesve të energjisë dhe shtresave në nevojë që janë në pamundësi për ta paguajtur, jeni duke përdorur Policinë e Shtetit në mënyrë diskriminuese dhe aplikimi i këtij aksioni në mënyrë diskriminuese kundër kundërshtarëve politikë”, tha ai.

Për zv.Ministrin e Drejtësisë aksioni nuk ka asnjë shkelje dhe përdorimi i Policisë së Shtetit është brenda kuadrit ligjor dhe kjo falë edhe kontributit të Partisë Demokratike që në vitin 2008 ndryshoi Kodin Penal për vjedhjen e energjisë.

“Përgëzoj PD që në 2008-2009 ndryshoi Kodin Penal për vjedhjen e energjisë dhe ajo që po bëjmë ne sot është zbatimi i ligjit. Po përdoret policia që po bën detyrën sipas ligjit për të shkuar dhe për të ndërprerë lidhjet e paligjshme dhe për të zbatuar ligjin. Është detyrë e policisë që të ndjekë penalisht atë që kapet në flagrancë me lidhje të paligjshme”, tha ai.

Pjesën e dytë dhe të tretë u cekën disa nga çështjet që ndajnë palët, si reforma në drejtësi dhe bojkoti i opozitës.

Sa i takon reformës në drejtësi, zv.Ministri Peçi tha se pikat e përbashkëta për reformën mes mazhorancës dhe opozitës janë të shumta dhe ato që ndajnë të dyja palët janë vetëm çështje teknike forumesh.  “Është për të ardhur keq që ndahemi vetëm tek këto pika”, tha ai.

Por për përfaqësuesin e opozitës ndasia është më e thellë. Sipas tij qeveria nuk respekton marrëveshjet dhe zotimet e saj publike duke synuar kapjen e institucioneve të pavarura dhe sistemit të drejtësisë.
“Pas tryezave qeveria tregon me veprime që nuk i interesojnë aspak ato që ka thënë nëpër tavolina për reformnë në drejtësi, për gjithëpërfshirjen dhe nevoja që duhet të udhëhiqet nga partnerët ndërkombëtarë dhe nis e bën në një korsi emergjence për të kapur drejtësinë. Provat kanë nisur që kur erdhi në pushtet kjo qeveri”, tha ai.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Bode. “Veprimet e mazhorancës në raport me drejtësinë nuk kanë ndodhur kurrë më parë. Nuk ka ndodhur që një ligj që ka të bëjë me KLD të jetë hartuar i paasistuar nga partnerë ndërkombëtarë që kanë këtu 2-3 misione të përherëshme që paguhen nga BE dhe që kanë një strategji. Ndryshimi i ligjit u bë pa konsultë ndërkombëtare dhe kjo është edhe në raportet e tyre”, tha ai.

“Jo vetëm që nuk janë konsultuar, por edhe u janë mbajtur fshehur draftet”, shtoi Kaso.

Zv.Ministri i Drejtësisë Peçi kundërshtoi pretendimet e opozitës. Ai tha se nuk ka munguar bashkëpunimi dhe se Ministria e Drejtësisë ka kërkuar me ngulm prezencën e opozitës në tryezat për drejtësinë.

“Më 31 tetor do të bëhet një tryezë e tillë, është teknike, nuk është politike dhe i janë dërguar ftesat shpresojmë që të vijnë dhe të marrin pjesë në debat”, deklaroi ai.

Duke u ndalur tek programi i tryezës, Kaso e cilësoi absurde ftesën për të diskutuar për KLD-në kur ligji ka 40 ditë që ka hyrë në fuqi.

Në fund të ftuarit folën për bojkotin e opozitës. Ahmetaj ripërsëriti thirrjet e mazhorancës për t’u rikthyer në parlament dhe për t’u përfshirë në reformat e mëdha për të cilat ka nevojë vendi që tashmë ka statusin e vendit kandidat, ndërkohë që Bode këmbënguli se opozita nuk rikthehet pa iu garantuar misioni i saj në Kuvend.

Top Channel