SHBA, në ethe nga “Snowdeni i dytë”

29/10/2014 00:00

Dokumentari i fundit i bërë mbi rastin e Edward Snowden, që mban firmën e gazetares Laura Poitras, ka alarmuar organet hetimore të Shteteve të Bashkuara.

FBI dhe NSA kanë përforcuar përpjekjet për të verifikuar, në bazë të informacioneve të dokumentarit me titull “Qytetari i katërt”, ekzistencën e një Snowdeni të dytë.

Sipas raportimeve të “Yahoo! News”, të cilat nuk janë përgënjeshtruar nga qeveria amerikane, FBI e ka identifikuar të ashtuquajturin “burimi i dytë”.

Mësohet se ai është një personazh që ka akses tek arkivat sekrete të administratës amerikane dhe që ka shkaktuar një “çarje” të re në mburojën e aparateve të sigurisë të SHBA.

Megjithatë, ende nuk dihet emri apo roli i saktë i tij dhe as nuk është e qartë nëse është arrestuar apo jo. Agjentët federalë kanë kontrolluar shtëpinë e tij që ndodhet në veri të Virxhinias, pra në periferitë jug-lindore të Uashingtonit.

Ajo që dihet është se bëhet fjalë për një kontraktor tjetër që ka fituar tenderin e shërbimeve për Pentagonin dhe rrjetet e shërbimeve të inteligjencës.

Vetë Snowden, që zbuloi skandalin e përgjimeve dhe që aktualisht jeton në Rusi, ka folur më parë për të në një intervistë për faqen investigative të internetit ‘The Intercept’.

“Është një tip kurajoz, është jashtëzakonisht i guximshëm”, ka thënë Snowden për “pasardhësin” e tij.

Top Channel