Hakerat sulmojnë Shtëpinë e Bardhë

29/10/2014 00:00

Piratë informatikë kanë sulmuar disa kompjutera të Shtëpisë së Bardhë, raporton e përditshmja amerikane “Washington Post”.

Sipas gazetës amerikane, selia presidenciale e Shteteve të Bashkuara është fokusuar tek disa “piratë” rusë, që me shumë gjasa janë të lidhur me shërbimet sekrete të Moskës.

Depërtimi në sistemin kompjuterik është zbuluar në ditët e fundit dhe ka bërë që në lojë të hyjnë FBI dhe NSA, për të hetuar.

Sipas raportimeve mediatike, sulmet elektronike kanë prekur punonjës të shumtë të Shtëpisë së Bardhë, edhe pse asnjë nga ata të nivelit të lartë.

Megjithatë, bëhet fjalë për një depërtim mbi të cilin hetuesit duhet të punojnë për të parandaluar telashe të mëtejshme. Ndërkohë, akuzat ndaj Moskës nuk janë risi.

Në të kaluarën autoritetet amerikane kanë deklaruar disa herë se rusët kanë kryer sulme elektronike të vazhdueshme ndaj Shteteve të Bashkuara apo aleatëve të tyre. Por ky aktivitet është intensifikuar paralelisht me krizën në Ukrainë.

Shpesh herë Uashingtoni ka akuzuar edhe hakerat kinezë, të konsideruar ndër më agresivët në operacionet kundër objektivave perëndimorë dhe jo vetëm në SHBA.

Një numër i konsiderueshëm aleatësh kanë qenë viktima të sulmeve të organizuara nga një divizion special i afërt me aparatin ushtarak të Pekinit.

Është një zyrë që përdoret në disa raste për të ndëshkuar gazetat e mëdha amerikane për informacionet e tyre mbi nomenklaturën kineze dhe aferat e saj.

Pentagoni është në punë për të përforcuar aparatin e tij, në mënyrë që t’u bëjë ballë goditjeve kur të jetë e nevojshme.

Brenda vitit 2016 Shtetet e Bashkuara presin të kenë 6 mijë punonjës nën urdhërat e Cyber Command, një njësi që në planet strategjike duhet të jetë në gjendje të ndërmarrë ofensiva të ngjashme me ato të një aviacioni.

Top Channel