Britani, shtohet presioni për “emigracionin” ndaj Cameron

29/10/2014 00:00

Sistemi britanik i kufijve dhe emigracionit është thjesht një “rrëmujë”, kështu janë shprehur në një raport të së mërkurës ligjvënësit në Britani, duke shtuar në këtë mënyrë presionin ndaj qeverisë së kryeministrit David Cameron, për të mbajtur një linjë më të ashpër ndaj emigrantëve përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm.

Sondazhet publike tregojnë se emigracioni është një shqetësim madhor për votuesit, gjë që ka ndikuar edhe në rritjen e Partisë antiemigracion UKIP, e cila mund të trondisë shanset e Cameron për të qëndruar në pushtet pas zgjedhjeve të Majit, duke “përçarë” votat e krahut të djathtë. UKIP kërkon më shumë frenim ndaj emigracionit, si dhe daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian.

Në raportin dënues, Komiteti parlamentar i Çështjeve Publike theksonte se qeveria nuk mund t’i ndjekë njerëzit përmes sistemit, apo të kontrollojë nëse atyre që iu është refuzuar e drejta për të qëndruar në Britani janë larguar apo jo nga vendi.

Qeveria ka dështuar gjithashtu për të trajtuar ngarkesën prej një kohe të gjatë të dhjetra mijëra aplikimeve për azil, teksa numri i rasteve të reja në pritje të një vendimi është rritur së tepërmi, thuhej në raport.

“Presioni është i dukshëm dhe Ministria e Brendshme (Home Office) duhet të ndërmarrë hapa urgjente për të zgjidhur këtë rrëmujë me emigracionin”, tha ligjvënësi laburist Margaret Hodge, kreu i komitetit.

Në fund të vitit financiar 2013-14 ka pasur më shumë se 175 mijë njerëz, aplikimet e të cilëve për të qëndruar në Britani janë refuzuar, bënte të ditur raporti.

“Është tepër shqetësuese fakti që Home Office nuk po i ndjek këta njerëz, për t’u siguruar që ata janë larguar nga Britania”, tha Hodge. “Departamenti duhet, në mënyrë urgjente, të ndërmarrë më shumë hapa për të identifikuar njerëzit që qëndrojnë në Britani në mënyrë të jashtëligjshme, si dhe të përshpejtojë dëbimin e tyre”.

Debati politik në Britani në lidhje me emigracionin sa vjen e bëhet edhe më i nxehtë, pasi Cameron dhe liderët e partive të tjera kanë forcuar qëndrimet e tyre mbi këtë çështje, si kundërpërgjigje ndaj rritjes së popullaritetit të UKIP.

Top Channel