Rindërtimi i qyteteve, Rama në Krujë dhe Fushë Krujë

28/10/2014 00:00

Projekti i rivitalizimit të qendrave urbane ka çuar në Fushë Krujë
Kryeministrin Edi Rama për të inspektuar punimet e rrugës që fillon në
kryqëzimin e superstradës Tiranë – Shkodër me superstradën Vorë-Fushë
Krujë, përshkon të gjithë hyrjen e qytetit Fushë Krujës dhe përfundon
pranë rajonit të policisë në qendër të qytetit.

Rikonstruksioni do t’i japë gjithë zonës një dimension urban bashkëkohor. Projekti do të krijojë mundësinë e një qarkullimi të disiplinuar të mjeteve të transportit, ndërsa ndërtimi i trotuareve do të disiplinojë dhe sigurojë lëvizjen e njerëzve.

Në projekt parashikohen gjithashtu sistemimi i ujërave të shiut, ndërtimi i rrjetit të ri të ujësjellësit, ndriçimi i rrugës, sinjalistika e nevojshme vertikale dhe horizontale, mbjellja e pemëve në të dy krahët e saj.

Aktualisht po punohet me prishjen e objekteve, gërmime dhe mbushje të kasonetës, si dhe ndërtimin e kanalizimeve
Paralelisht me infrastrukturen në Fushë Krujë ka nisur punimet edhe për gjimnazin e këtij qyteti sipas standardeve dhe me ambjente sportive që sot i mungojnë.

Mëgjithëse një bashki e djathtë, kjo nuk i ka penguar drejtuesit e bashkisë se Krujës të presin Kryeministrn Edi Rama, ku gjithashtu shefi i qeverisë ka inspektuar punimet e Rrugës së Kalasë, por edhe ato që po kryhen në Pazarin e Vjetër.

“Duhet të ndërtojmë një projekt që të jetë disa-vjeçar, një program disa-vjeçar zhvillimi dhe ju do të në jepni disa orientime kryesore në mënyrë që ne pastaj të vazhdojmë me pjesën tonë. Mbështetjen do ta keni absolute sepse e kemi me prioritet Krujën, një qytet shumë i rëndësishëm”, deklaroi Rama.   

Në qytetin Krujës ka nisur projekti që parashikon rikonstruksionin e segmentit rrugor që  lidh qendrën e qytetit Krujë me 3 lagjet e vjetra të këtij qyteti, por edhe me fshatrat përreth.

Parashikohet projekti i ndriçimit të Rrugës së Malit dhe së bashku me projektin e rehalibilimit të rrugës së Pazarit të Vjetër kanë synimin e rritjes së numrit të turistëve dhe t’ju krijohet mundësia për ta vizituar këtë qytet historik edhe gjatë mbrëmjes. Për Kryeministrin Rama qeveria është e angazhuar plotësisht për t’i dhënë dinjitetin e merituar kësaj qendre të historisë së vendit.

Top Channel