CIA përdori nazistët kundër Rusisë

28/10/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara përdorën nazistët si spiunë dhe informatorë gjatë viteve të Luftës së Ftohtë me bllokun komunist.

Dokumentet e deklasifikuara nga arkivat e inteligjencës amerikane tregojnë se zyrtarë të CIA-s të atyre viteve shtrinë dorën për ndihmë tek ish-armiqtë për të përdorur aftësitë dhe përvojën e tyre në luftën me spiunët e Bashkimit Sovjetik.

Ekspertët e sigurisë që po merren me studimin e këtyre dokumenteve thonë se Shtetet e Bashkuara kanë rekrutuar të paktën 1 mijë ish-naziste, një pjesë e të cilëve kanë qenë në rangje të larta të Partisë Naziste.

Ata u rekrutuan si spiunë apo informatorë amerikanë në Europë. Mes tyre është edhe ish-oficeri i famëkeqëve SS, Otto von Bolschwing. Ai është i famshëm për pamfletët me udhëzime me “këshilla si të terrorizohen hebrenjtë” gjatë viteve të luftës, ndërsa pas saj u rekrutua si spiun i CIA-s.

Besohet se si shpërblim për besnikërinë e treguar von Bolschwing u tërhoq në Nju Jork së bashku me familjen e tij.

Një tjetër emër është edhe Aleksandras Lileikis, i lidhur me masakrat kundër hebrenjve në Lituani. U rekrutua nga CIA si agjent në Gjermaninë Lindore, ndërsa më vonë u tërhoq në Boston.

Faktet tregojnë se CIA u përpoq të ndërhyjë kur ndaj tij u ngrit një gjyq për krimet e kryera gjatë viteve të luftës.

Këto të dhëna mbërrijnë pak pas një artikulli të “Associated Press” ku thuhej se Shtetet e Bashkuara kanë paguajtur miliona dollarë nazistëve të strehuar në SHBA, pasi më parë i kishte detyruar të hiqnin dorë nga shtetësia amerikane.

Top Channel