Zgjedhjet parlamentare në Ukrainë

26/10/2014 00:00

Ukraina votoi të dielën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare për të krijuar një parlament pro-perëndimor si edhe  për t’i dhënë fund konfliktit separatist në lindje.

Procesi kaloi pa trazira dhe njerëzit shkuan të bindur për të votuar në anketën parlamentare. Në rajonet lindore të kontrolluara nga ushtria, oficerë të armatosur dhe të veshur me jelekë antiplumb qëndruan në gadishmëri në çdo qendër votimi. Megjithatë, në Donjeck, Luhansk dhe Krime nuk u zhvillua procesi zgjedhor.

Presidenti Poroshenko udhëtoi drejt Donjeckut për të treguar mbështetje ndaj trupave ukrainase atje. Sipas sondazheve, pritet që partia e udhëhequr nga Poroshenko të bëhet forcë udhëheqëse në asamblenë 450-vendëshe, duke i dhënë atij një mandat për të ndjekur planin e paqes për lindjen si edhe për të kryer reforma të thella të kërkuara nga partnerët e Ukrainës në Bashkimin Evropian.

Por, 49-vjeçari nuk mund të fitojë i vetëm shumicën absolute prandaj Poroshenko duhet të jetë në gjendje të formojë një koalicion me partitë e tjera garuese, si ajo e kryeministrit Jacenuk.

Rreth 2,000 vëzhgues ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe një ekip prej 800 vetësh nga OSBE-ja, janë në vend për të monitoruar procedurat e votimit dhe të numërimit të votave. Megjithatë, nga shumë analistë këto zgjedhje janë përshkruar si “një thikë me dy presa”. Krijimi i një parlamenti të fortë e të angazhuar për një Ukrainë të bashkuar mund të zgjojë presione të reja mbi marrëdhëniet e tensionuara me Rusinë.

Top Channel