Leonard Strazimiri – Skema aktuale e ndihmës ekonomike, e cila ka funksionuar që nga viti 1993 me Ligjin nr.7710 datë 18.05,1993 “Për Ndihmën Ekonomike dhe Përkujdesjen Shoqërore”, në njëfarë mënyre e ka përmbushur misionin e saj.
Si pasojë e ndryshimit të kushteve social-ekonomike të familjeve shqiptare, u mendua të kalohej në një sistem tjetër targetimi të ndihmës ekonomike. Kjo mënyrë e re menaxhimi e skemës së ndihmës ekonomike po pilotohet fillimisht në tri qarqe të vendit dhe kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Projekti i modernizimit të asistencës sociale (ndihma ekonomike), u iniciua nga Banka Botërore në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta që nga viti 2011. Ky sistem synon të krijojë një transparencë më të madhe të skemës së ndihmës ekonomike, një lehtësim të procedurave, si dhe një targetim më të saktë të fondeve të buxhetit të shtetit, drejt shtresave realisht më në nevojë. Kështu nga qeveria, që nga viti 2011, u bë e mundur, ngritja e gjithë infrastrukturës ligjore, si dhe u trajnua 90% e stafit të administratorëve vendorë dhe një pjesë e specialistëve të Drejtorive Rajonale, që do të bënin të mundur realizimin e projektit në tri zonat pilot Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
Projekti i modernizimit të asistencës sociale (pilotimi i ndihmës ekonomike), synon reduktimin e varfërisë dhe është bërë i mundur falë marrëveshjes së huas prej 38 milionë $ me BB (Bankën Botërore). Gjithashtu, në këtë kuadër, realizmi i këtij projekti u mbështet edhe nga Bashkimi Europian në shumën prej 1.3 milionë euro, për asistencë teknike. Financimi fillimisht do të bëhet nga qeveria shqiptare dhe më pas do të bëhet disbursimi nga BB, mbi bazën e arritjes së Indikatorëve të Lidhur me Disbursimin (ILD). Ky projekt konsiston ndër të tjera, në marrjen online të informacioneve të nevojshme për familjet aplikuese, nga institucionet e përcaktuara në VKM nr.787 datë 14.12.2005, gjë e cila për fat të keq nuk bëhet, pasi shumë prej këtyre institucioneve nuk janë të përfshira në këtë sistem ose nuk kanë bërë akoma informatizimin e të dhënave të tyre dhe kryqëzimi i tyre është ende i pamundur. Vetëm në dy ose tre institucione nga njëmbëdhjetë të tilla, mund të merret konfirmimi online i informacionit të kërkuar. Të gjitha institucionet e tjera e bëjnë konfirmimin e listave të aplikuesve në mënyrë shkresore, gjë e cila lë shumë për të dëshiruar, pasi konfirmimet e tyre në shumë raste janë formale, duke rritur shkallën e abuzivitetit. Kjo bën që sistemi i ngritur për këtë qëllim të dalë jashtë loje dhe të dështojë që në hapat e parë të tij. VKM nr.904 datë 12.12.2012 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të përfitimit të ndihmës ekonomike, në zonat pilot” dhe udhëzimi nr.9 datë 23.06.2014 në zbatim të tij, i përcakton qartë të gjitha kriteret dhe procedurat e përfitimit të masës së ndihmës ekonomike në zonat pilot.
Por çfarë po ndodh me individët dhe familjet e varfra, që duan të aplikojnë për përfitimin e masës së ndihmës ekonomike? Individët dhe familjet në nevojë, paraqiten në dyert e zyrave të ndihmës ekonomike të pushtetit vendor, për të plotësuar formularët e aplikimit për ndihmë ekonomike (koha për plotësimin e formularit të pikëzuar nga një aplikant shkon në rreth 35 min.) Pas plotësimit të saktë të formularëve edhe pse gjendja e tyre ekonomike mund të jetë shumë e vështirë, shumë prej tyre nuk e përfitojnë ose nuk kualifikohen nga sistemi për të përfituar ndihmë ekonomike. Ata ankohen në zyrat e shtetit, por ankesa e tyre bie në vesh të shurdhër. Këta hallexhinj përplasen në dyert e pushtetit vendor, të cilët i përcjellin te Drejtoria Rajonale e SHSSH, me pretekstin që, vlerësimin e pikëve e bëjnë drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror. Këta të fundit i përcjellin drejt njësive vendore, me arsyen se janë ata që plotësojnë aplikimet, shkurt çorganizim i organizuar. Mbështetur në udhëzimin nr.9 datë 23.06.2014 “Mbi zbatimin e VKM Nr.904 datë 12.12.2012 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të përfitimit të ndihmës ekonomike, në zonat pilot”, pika 22 dhe 28 e tij, përcaktohet se Drejtoritë Rajonale të SHSSH bëjnë vlerësimin e pikëve për çdo aplikant, mbi bazën e deklarimeve të bëra në mënyrë të lirë nga aplikanti dhe janë ata përgjegjës për kualifikimin ose jo të aplikantëve nga sistemi i pikëzimit.
Mirëpo, rruga e ankimimit është bërë aq e gjatë, sa njerëzve u krijohet një stres dhe një lodhje, më e madhe se ajo që u ka krijuar vetë varfëria që i ka pllakosur. Procesi i ankimimit përfshihet në burokraci pa fund ku vështirë se gjen zgjidhje. Fillimisht Ligji 47/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.9355, datë 10.03.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar neni 41/1, parashikon që ankimimi bëhet te kryetari i Njësisë Vendore brenda 7 ditëve nga marrja e njoftimit, i cili brenda 5 ditësh nga marrja e ankesës, duhet t’i kthej përgjigje ankimuesit, më pas nëse nuk merr zgjidhje nga njësia vendore, ankesa i drejtohet Drejtorit të Zyrës Rajonale të SHSSH, e cila pas verifikimit të kryer, brenda 10 ditëve, duhet të marrë vendim në lidhje me ankesën e bërë dhe informon si njësinë e qeverisjes vendore ashtu dhe aplikantin që ka bërë ankesën. Mendoni çfarë fluksi ankesash ka në dyert e këtyre institucioneve, kur numri i përfituesve nga sistemi është i paracaktuar në heshtje me urdhër, që do të thotë se përzgjedhjet e përfituesve në shumë raste bëhen në mënyrë selektive dhe jo transparente, në bllok. Kjo e bën sistemin jo transparent, jo të besueshëm dhe e çon atë drejt një dështimi të plotë. Ka raste kur sistemi bllokohet dhe qytetarëve u duhet të presin në dyert e zyrave të ndihmës ekonomike për të bërë aplikimin. Gjithashtu nuk bëhet transparente as masa e pikëve që një aplikant duhet të marrë për t’u kualifikuar dhe trajtuar në skemën e ndihmës ekonomike. Kjo, jo pa arsye, pasi duke e mbajtur të padeklaruar koeficientin e pikëve, ekziston mundësia e ndryshimit të tij, sa herë t’u lindë nevoja atyre që e menaxhojnë sistemin dhe skemën e ndihmës ekonomike, për shtimin dhe pakësimin e aplikantëve fitues në skemë.
Përgjegjësia në të gjitha rastet mbetet e papërcaktuar (jetime). Ata që vuajnë pasojat e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë janë familjet dhe individët në nevojë. Raste abuzive të trajtimit të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike, nga strukturat e pushtetit vendor, ka pasur dhe janë denoncuar dhe më parë. Nuk është numri ai që përcakton “suksesin”, por evidentimi dhe eliminimi i rasteve vërtet abuzive, nëpërmjet forcimit të strukturave të kontrollit dhe jo përdorimit të fenomenit “fshesa”, ku të digjet dhe i njomi me të thatin, pasi kemi të bëjmë me shtresën më në nevojë të shoqërisë. Jam i bindur që pjesa më e madhe e familjeve që janë larguar, janë pre e mungesës së certifikatës së tokës, një fenomen i hershëm, ku shumica e tyre nuk e kanë tërhequr pasi s’kanë me çfarë ta paguajnë. Duket sikur qeveria po bën eksperimente me këtë kategori familjesh, pasi sistemi siç e thashë më lartë, shërben vetëm si regjistër elektronik dhe jo si një sistem i mirëfilltë për të cilin është krijuar. Personat, të cilët kanë akses për të ndërhyrë në sistem, ose janë të paaftë për ta përdorur atë, ose përzgjedhjen e familjeve përfituese e bëjnë në mënyrë selektive dhe të qëllimshme. Duket sikur drejtorive rajonale u është vendosur një numër i caktuar aplikantësh (familjesh apo individësh në nevojë), për t’u kualifikuar dhe medoemos duhet t’i qëndrojnë strikt këtij numri, për të mbajtur nën kontroll skemën, paçka se penalizohen mijëra familje dhe individë në nevojë.
Në të dyja rastet kemi të bëjmë me veprim të paracaktuar që bie ndesh me kuadrin ligjor dhe me transparencën që presim nga ky sistem, duke penalizuar shumë familje në nevojë, të cilat janë në kushtet e mbijetesës. Aktualisht, vërtet trajtohen më pak familje në këtë skemë, por përfitimi i tyre në cash, nuk është aspak më i madh, pasi nuk ka ndryshuar as masa dysheme prej 800 lekësh dhe as masa maksimale e ndihmës ekonomike prej 8000 lekësh, e përllogaritur kjo sipas strukturës së familjes. Sipas kësaj përqasjeje dhe keqmenaxhimi që po i bëhet sistemit të modernizimit të asistencës sociale (ndihma ekonomike), nga strukturat përkatëse përgjegjëse, shpejt pritshmëria e madhe e një produkti pozitiv nga ky projekt i këtyre përmasave, mund të kthehet në një flluskë sapuni që do të sjellë dështimin e plotë të tij dhe me pasoja për vetë skemën e ndihmës ekonomike.
Top Channel