Perëndimi frenon rënien e Kobanës

26/10/2014 00:00

Pas më shumë se dy muaj sulme ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër kalifatit islamik ISIS, analistët thonë se perëndimorët e kanë penguar rënien e Kobanës në duart e xhihadistëve, por ende duhet punë për të ndalur përparimet e grupit në fronte të tjera.

Ndërkohë, ISIS po kërcënon me vdekje shumë luftëtarë, të cilët duan të kthehen në shtëpitë e tyre, por tashmë kanë ngecur në vorbullën e kalifatit. Po ashtu, militantët publikuan episodin e pestë të videove të pengut 43-vjeçar, John Cantlie.

“Përshëndetje, unë jam John Cantlie, shtetasi britanik i braktisur nga qeveria ime dhe i burgosuri i Shtetit Islamik për gati dy vjet. Sikurse unë, edhe disa pengje të tjerë kemi tentuar disa herë të largohemi prej këtu, por çuditërisht ISIS nuk na ka keqtrajtuar, ne kemi jetuar në harmoni së bashku. Lexojmë libra, zhvillojmë lojra inteligjence dhe, e dini çfarë? Kjo nuk është aspak një jetë e keqe”, thotë në video pengu britanik.

Por, ashtu sikurse në prononcimet e mëparshme, Cantlie sërish akuzon qeveritë perëndimore se nuk janë aspak të përgjegjshme për qytetarët e tyre të mbajtur peng nga ISIS. Ai sjell në vëmendje fatet e perëndimorëve të tjerë që përfunduan tragjikisht, sepse – sipas tij – shtetet përkatëse nuk morën masat e duhura.

Pengu britanik thotë se koalicioni ndërkombëtar ka zgjedhur rrugën e gabuar, duke mos negociuar, por duke luftuar ashpër krerët e kalifatit islamik. Megjithatë, ka shumë gjasa që fjalimi i John Cantlie, në videon prej 6 minuta e 30 sekonda me titullin “Të vërtetat e hidhura”, të jetë përgatitur nga vetë xhihadistët e grupit terrorist.

Top Channel