Nju Jork, sulmi me sëpatë “akt terrorist”

25/10/2014 00:00

Policia në Nju Jork deklaron se sulmi me sëpatë ndaj dy oficerëve të policisë ishte një akt terrorist, i kryer nga një person i konvertuar në mysliman radikal.

Zale Thompson, 32 vjeç, u qëllua për vdekje pasi plagosi dy oficerët, njërin prej të cilëve rëndë, në lagjen Kuins të Nju Jorkut.

Komisioneri i policisë William Bratton deklaroi se Thompson nuk ishte një person i mbajtur nën mbikëqyrje, por nga hetimet e kryera pas sulmit ka rezultuar se ai vizitonte shpesh faqe interneti të Al Kaedës, ku dhe shihte prerjet e kokave.

Edhe një kalimtar i rastit mbeti i plagosur gjatë incidentit dhe ndodhet në spital në gjendje kritike. Dëshmitarët deklaruan se 32-vjeçari i zgjodhi rastësisht oficerët e patrullës, duke iu vërsulur dhe duke më pas duke i goditur me sëpatë, të cilën e mbante me të dyja duart.

Një nga oficerët, Kenneth Healy, 25 vjeç, u godit në kokë dhe u shtrua në spital në gjendje kritike. Aktualisht gjendja e tij raportohet të jetë e qëndrueshme, ndërkohë që oficeri tjetër u godit në krah.

Më pas dy kolegë të tyre qëlluan disa herë, duke vrarë agresorin dhe duke plagosur gabimisht një kalimtare. Komisioneri Bratton deklaroi se i gjithë incidenti ndodhi në shtatë sekonda dhe vlerësoi “guximin e jashtëzakonshëm dhe aftësitë” e oficerëve të përfshirë në të.

“Ne besojmë se agresori veproi i vetëm dhe mund ta përshkruajmë atë si një person që është vetëradikalizuar”, tha zyrtari i lartë i policisë mbi Zale Thompson.  

Ai shtoi se edhe i ati i 32-vjeçarit kishte thënë për hetuesit se i biri kalonte shumë kohë i vetëm në dhomën e tij dhe ishte një tip vetmitar.

Top Channel