Egjipt, gjendje e jashtëzakonshme në Sinai, vriten 31 ushtarë

25/10/2014 00:00

Egjipti ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në disa pjesë të gadishullit të Sinait, pasi të paktën 31 ushtarë mbetën të vrarë pas sulmeve të së premtes.

Presidenti Abdul Fattah al-Sisi ka deklaruar 3 ditë zie kombëtare në vazhdën e sulmeve, të cilat dyshohet se janë kryer nga xhihadistët. Televizioni shtetëror egjiptian transmetoi se është mbyllur edhe kalimi kufitar në Rripin e Gazës.

Sulmet e së premtes janë më vdekjeprurësit ndër vite në ushtrinë egjiptiane, e cila është duke kryer një ofensivë kundër xhihadistëve në veri të Sinait. Që prej rrëzimit nga pushteti të Hosni Mubarak në vitin 2011, militantët  kanë rritur ndjeshëm sulmet në këtë zonë.

Deri tani asnjë grup terrorist nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin vetëvrasës në një postbllok të ushtrisë, ku mbetën të vdekur 28 ushtarë. Të paktën edhe 28 të tjerë u plagosën në një tjetër sulm në El Arish, qyteti kryesor në veri të gadishullit të trazuar. Ndërsa 3 ushtarë të tjerë u vranë në një sulm me armë në një pikë kontrolli.

Top Channel