Një “Pasdite” me Eno Peçin

24/10/2014 00:00

Eno Peçi, balerini dhe koreografi i famshëm shqiptar, ishte i ftuar në studion e “Pasdite në Top Channel”, ku në një intervistë të gjatë foli për koncertin e Vjenës, fillimet e karrierës dhe jetën personale.

Koncerti i Vjenës – Është një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe diçka e veçantë për çdo balerin. Është një koncert që duan ta shikojnë të gjithë “live” dhe rezervimet për bileta bëhen 1 ose 2 vite përpara.

Shfaqja në Tiranë
– Iniciatori i këtij projekti (ditën e shtunë, ora 19:00) është zoti Fate Velaj. Duam të sjellim aromën vjeneze në Shqipëri në Teatrin e Operas dhe Baletit. Janë gjashtë pjesë ku do kërcej unë, do vijnë dy balerina nga Vjena të cilat do më shoqërojnë mua në disa duete dhe evenimenti do të mbyllet me një vals vjenez. Të ardhurat e koncertit do të shkojnë për bamirësi.

Emocionet e performancës në Tiranë
– Jam nervoz përpara publikut shqiptar pasi ke emocion tjetër në vendin tënd. Kam shumë emocion dhe besoj se do të kem derisa të nisë shfaqja.

Largimi nga Shqipëria – E lashë vendin në vitin 1998 dhe shkova në Itali me një grup të vogël balerinësh. Prej andej, shkova me tren në Vjenë ku më priste motra. Për mua motra ishte një mbështetje e madhe dhe rruga e vetme për një të ardhme më të mirë. Kur u provova në klasat e baletit u habitën nga vullneti dhe përkushtimi im. Më thanë që kisha mangësi, por do më jepnin një shans.

Prindërit – Prindërit e mi jetojnë në Shqipëri. Më merr malli çdo ditë. Mundohem që çdo verë t’i kaloj pushimet me ta. Motra jeton në Austri, të paktën e kam një pjesëtar familjeje afër.

Dieta e balerinit
– Më shumë kujdes duhet të kenë femrat me ushqimin, ndërsa meshkujt duhet të hanë më shumë që të kenë fuqi.

Koreografia
– Kam katër vite që merrem me koreografi dhe vazhdoj të krijoj.

Familja
– Bashkëjetoj prej 10 vitesh me një balerinë austriake me të cilën kam një vajzë 5-vjeçare me emrin Lea. Jam njohur në teatër me partneren time. Vjen me mua dhe me vajzën në Shqipëri gjatë çdo vere.

Top Channel