Nëndetësja fantazmë, Suedia ndërpret kërkimet

24/10/2014 00:00

Marina suedeze ka ndërprerë kërkimet e saj njëjavore për praninë e dyshuar të një nëndetëseje në jug të Stokholmit, kanë deklaruar autoritetet lokale.

Mjetet lundruese ushtarake dhe avionët kanë kërkuar përgjatë gjithë arqipelagut të kryeqytetit gjatë gjithë javës, nën dyshimin se një nëndetëse ruse ndodhej në zonë.

Ministria ruse e Mbrojtjes mohoi në ditët e mëparshme çdo përfshirje të mjeteve të saj. Operacioni i marinës suedeze ishte mobilizimi më i madh ushtarak që prej Luftës së Ftohtë.

“Kjo do të thotë se anijet dhe forcat amfibe janë kthyer në port”, sqaroi Marina ushtarake suedeze në një komunikatë për shtyp, ku shtohet se disa njësi të vogla do të vazhdojnë të qëndrojnë në zonë.

Admirali Anders Grenstad, i cituar nga mediat lokale, tha se aktualisht dyshohet që mjeti nënujor të jetë larguar nga ujërat suedeze.

Oficeri i lartë nënvizoi se janë kryer hetime për mundësinë e zhvillimit të aktiviteteve nënujore të huaja, bazuar në ato që ai i quajti “informacione të besueshme”.

Qindra njësi ushtarake u përfshinë në kërkime. Autoritetet suedeze nuk u prononcuan zyrtarisht se tek cili vend dyshojnë për aktivitetet ilegale nënujore, por tashmë dyshimet bien mbi marinën ruse.

Nga ana tjetër, zyrtarët rusë kanë mohuar çdo përfshirje, me Ministrinë e Mbrojtjes që ka deklaruar se, “nuk ka pasur asnjë situatë të jashtëzakonshme e jo më emergjente ku të jenë përfshirë mjetet tona detare”.

Ndërhyrja ushtarake ruse në Ukrainë këtë vit ka bërë që të ngrihen dyshime mbi synimet e saj kundrejt vendeve fqinjë, në veçanti atyre të rajonit baltik.

Top Channel