Tjetër shkelje e sigurisë në Shtëpinë e Bardhë

23/10/2014 00:00

Në Shtëpinë e Bardhë në Uashington është verifikuar shkelja e dytë e sigurisë, që këtë herë ka si protagonist një 23-vjeçar që kapërceu gardhin rrethues të rezidencës presidenciale të Shteteve të Bashkuara.

Dominic Adesanya u ndalua nga rojet e sigurisë dhe qentë roje në një pjesë të kopshtit, shumë pranë ndërtesës, por që ishte i çarmatosur. Vetëm një muaj më parë, një person i armatosur me thikë hyri në të njëjtën mënyrë në atë që duhet të jetë godina më e sigurtë në Shtetet e Bashkuara.

Madje, personi në fjalë arriti të hynte edhe në ambjentet e brendshme të rezidencës, por në një kohë kur presidenti Obama dhe familja e tij nuk ndodheshin aty.

Ky incident, bashkë me një tjetër që u konsiderua si kërcënim fizik për presidentin Obama, detyruan shefen e shërbimit sekret Julia Pearson të jeptë dorëheqjen.

Agjencia e drejtuar prej saj u gjend në një pozitë të vështirë pasi u ngritën një seri pikëpyetjesh mbi aftësinë e agjentëve për të mbrojtur kreun e shtetit, pasi personi i rastit të mëhershëm kapërceu gardhin rrethues, vrapoi nëpër lëndinë dhe hyri brenda në rezidencën presidenciale.

Ligjvënësi republikan Jason Chaffetz, kryetar i nënkomisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për sigurinë kombëtare, e cilësoi thyerjen e parametrave të sigurisë “plotësisht të papranueshme”. Ndërsa një zyrtar i Shërbimit Sekret tha se agjencia do të rishikonte reagimin e agjentëve gjatë incidentit.

Top Channel