Moti i keq që ka përfshirë Ultësirën Perëndimore ka ndikuar dhe në transportin detar të mjeteve dhe njerëzve.

Lundrimet në dy brigjet e Adriatikut janë pezulluar për disa orë gjatë natës së kaluar duke regjistruar vonesa të theksuara në nisjen dhe mbërritjen e tyre në portin detar të Durrësit.

Burime nga kapiteneria e këtij porti bëjnë të ditur se tragetet e linjës Durrës-Bari që duhet të niseshin natën e kaluar janë nisur vetëm sot në mëngjes, pas qetësimit të fuqisë detare. Ndërkaq probleme ka pasur dhe në anën tjetër të Adriatikut, në Itali.

Asnjë nga tre tragetet e linjave të Barit dhe Ankonës, që parashikohej të ankoroheshin në orën 08.00 të mëngjesit nuk mbërriti në port në orarin e parashikuar. Aktualisht, dallgëzimi në det të hapur regjistron forcën 6-7 ballë.

Top Channel