“Bunkerë shqiptarë” është ekspozita e fotografit britanik Robert Hackman, e cila u çel në Muzeun Historik Kombëtar.

Ndër simbolet më të njohura të periudhës komuniste, që mendohet të jenë nga 500 mijë në 700 mijë në të gjithë Shqipërinë, pas rrëzimit të sistemit një pjesë e tyre u shndërruan nga vendasit në objekte nga më të ndryshmet, shpesh interesante si për t’u pikturuar, kafene, hotele, studio tatuazhi.

Pikërisht këto shndërrime kanë qenë në fokusin e aparatit të Hackman, i cili në një udhëtim gjashtëvjeçar i gjeti ato në zona të ndryshme të Shqipërisë.

“Koncepti i ekspozitës është që të rrëfejë shpirtin e shqiptarëve dhe sesi ata kanë ndryshuar diçka që ka një kuptim negativ në diçka shumë pozitive. Një nga arsyet pse i lash njerëzit jashtë imazheve është me qëllim që shikimi të fokusohet në atë çfarë njerëzit kanë bërë me bunkerët. Pra, ju shikoni shpirtin e njerëzve në ndryshimin e bunkerëve”, ka deklaruar Hackman.

“Kjo ekspozitë është një prekje angleze për ta marrë më lehtë të shkuarën tonë, që peshon si betoni prej të cilit janë bërë këta bunkerë, por që falë Robertit dhe ministres së Kulturës bëhen më të lehtë. Dhe gjithashtu të urojmë të kemi një popull që para se të jetë popull dyfeku është popull me shpirt artisti dhe ndjenjë humori”, deklaroi Adrian Hila, zv/ministër i Mbrojtjes.

Lajme të mira për ruajtjen e një tradite të tillë vijnë nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. “Aksioni i ardhshëm i Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Mbrojtjes është t’i sulemi bunkerëve të mëdhenj anti-atomikë, që qytetarët ende nuk i kanë parë por që do të kthehen në vepra arti. Por kjo mbetet surprizë për më vonë”, deklaroi ministrja Mirela Kumbaro. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 29 tetor.

Top Channel