Top Show, Mimoza Kusari Lila

22/10/2014 00:00

Mimoza Kusari Lila, e para kryetare femër e një komune në Kosovë, ish-zëvendëskryeministre, në një intervistë ekskluzive në Top Show flet për sfidat dhe modelin e ri që ka sjellë në politikën kosovare. Çfarë përfaqëson ky model dhe a mund të imitohet në Shqipëri?

Alban Dudushi: Pati shumë dashamirës që u gëzuan me fitoren tuj në Gjakovë. Ka një fjalë që thuhet për Gjakovën, të cilën unë po e perifrazoj : “Gjakova duhet fituar përditë”. Tani pothuajse pas 11 muajsh, e keni fituar Gjakovën?

Mimoza Kusari Lila: Në fakt nuk është një sfidë e lehtë. Nëse do të krahasohet pozita me nivelin qendror dhe pozita në nivelin lokal, ekspozimi i përditshëm me problemet e qytetarëve është ajo që e bën sfiduese detyrën. Në nivelin qendror e ndjen veten më elitar, e ndjen veten se je në nivelin e kastës politike që udhëheq një shtet. Ndonjëherë e humb sensin e realitetit në të cilin ndodhesh. Kthimi në nivelin lokal më ka bërë të vetëdijshme për ndikimin e politikave. Është një sfidë që duhet fituar çdo ditë. Më 1 dhjetor, fitorja erdhi shumë e ëmbël në ditën e balotazhit, ndërsa muajt që pasuan ishin më e rëndë, pasi çdokush pret shumë kur një zëvendësministre kthehet në vendlindje, atëherë presin që edhe zgjidhjet të jenë me një çelës magjik. Askush nuk e mendon  se 15 vite pas luftës së Kosovës në Gjakovë përballemi me probleme, si për shembull të mungesës së ujit, mungesë të infrastrukturës rrugore, si edhe probleme të tjera. Në një farë forme të gjitha këto të dalin çdo ditë përpara.

Alban Dudushi: Ju e mbajtët një premtim të dhënë gjatë fushatës, që ishte mbledhja e një konference donatorësh, ku do të diskutoheshin edhe projekte. Sa prej këtyre projekteve deri tani janë financuar, apo kanë filluar të financohen?

Mimoza Kusari Lila: Duke parë situatën shumë të rëndë që kemi trashëguar në Komunën e Gjakovës, ne e pamë që brenda tre muajve të parë të qeverisjes të organizojmë konferencën e donatorëve, e cila ishte një sukses. Deri tani kemi arritur të investojmë 2.4 milionë euro në projekte, të cilat kanë nisur ose janë në proces për të filluar. Por megjithatë ka probleme të vazhdueshme, duhet të theksoj që në Komunën e Gjakovës ka pasur mungesë investimesh në 15 vitet e kaluara. Në 15 vitet e fundit ka pasur një mungesë të zhvillimit strategjik duke e krahasuar ata edhe me komunën e Prizrenit, e cila është vetëm 38 kilometra larg nga Gjakova. Me kënaqësi shprehem sot se kemi kaluar një periudhë shumë të vështirë, por një vit, i cili ka treguar forcën dinamikën, por edhe energjinë e një strukture të re. Suksesi më i madh që ka kthyer krenarinë te banorët e Komunës së Gjakovës, përveç faktit që në Kosovë u bënë të parët që nxorën një grua kryetare të komunës, por gjithashtu ajo që ne mundohemi të nxjerrim çdo ditë është vizioni për një Gjakovë moderne, për një Gjakovë, e cila tashmë shikohet ndryshe. Çdo banor i Gjakovës sot e di cilat janë punët brenda komunës, më parë nuk kishin asnjë informacion.

Alban Dudushi: Ju rrahin ende shpatullat në Gjakovë, apo kanë filluar t’ju kërkojnë llogari?

Mimoza Kusari Lila: Asnjëherë nuk i kam përjashtuar kritikat.

Alban Dudushi: Nëse në këto momente do të propozonin postin e Kryeministrit si një zgjidhje konsensuale, a do ta pranonit?

Mimoza Kusari Lila: Në kuadër të partive politike parlamentare ka hapësirë dhe mundësi për të gjetur një zgjidhje pa trazuar pushtetet e tjera, në këtë rast pa i bërë oferta dikujt që është në krye të një komune. Kemi kaluar një proces të suksesshëm zgjedhor dhe tashmë të gjitha këto parti së bashku nuk mund të arrijnë një zgjidhje për të qeverisur vendin. Përderisa insistimi i forcave kryesore ka qenë që të hyhet në proces zgjedhor më herët dhe insistimi ynë, si Aleanca Kosova e Re ka qenë që të shtyhen zgjedhjet për në muajin shtator. Dhe tashmë ja ku jemi, ku ende nuk ka një zgjidhje për ngërçin politik, i cili po i kushton shumë Kosovës. Dhe tani mendohet se në nivel vendi nuk mund të gjendet një zgjidhje, kjo është absurde. Kur flasim për pozita ekziston një kokëfortësi aq e madhe e të gjithë aktorëve kryesorë, në veçanti liderëve të 5 partive politike që kërkojnë pozicionet e rëndësishme. Tashmë i kthehemi një situatë gati të barabartë me atë të prillit të vitit 2011, kur Gjykata Kushtetuese vendosi që procesi i zgjedhjes së zotit Pacolli si President i shtetit nuk ishte në përputhje me Kushtetutën. Nuk u desh më shumë se disa ditë, kur zoti Pacolli dha dorëheqjen për t’i lënë rrugë zgjidhjes parlamentare. Tashmë duhet reflektuar dhe të shohim se pse asnjë nga të gjithë aktorët kryesorë nuk e bëjnë një hap prapa që ta lëmë vendin të eci përpara, derisa ne jemi në humbje çdo ditë. Unë uroj të mos vijë ditë që të më kërkohet mua të sakrifikojë, apo dikush tjetri jashtë sistemit, për shkak se po futemi në në një cikël emërimesh. Nëse nuk arrijmë të gjejmë zgjidhje me zgjedhje, atëherë do të kërkojmë të gjejmë zgjidhje jashtë procesit demokratik. Nuk ka nevojë. Unë jam zgjedhur si kryetare e Komunës së Gjakovës me votat e qytetarëve të Gjakovës. Nuk është një post, të cilin e kam marrë me emërim nga dikush.

Alban Dudushi: Domethënë nëse ju propozojnë për kryeministre kjo do të ishte sakrificë, thoni ju.

Mimoza Kusari Lila: Së pari për Komunën e Gjakovës, e cila është futur në një periudhë ndryshimesh dhe ato do të shkojnë deri në fund.

Alban Dudushi: Më parë më thatë se për shkak të këtij ngërçi ka projekte që janë të bllokuar ende.  

Mimoza Kusari Lila:
Ngërçi politik po i kushton Kosovës shumë dhe jo vetëm në kuadër të projekteve ekonomike, por edhe të funksionimit të institucioneve. Këtu duhet të mos harrojmë edhe politikën e jashtme të Kosovës.

Alban Dudushi: Kujt do t’ja kërkonit të parit të sakrifikonte pozitën e tij për të dalë nga ngërçi?

Mimoza Kusari Lila: Unë besoj që të gjithë e kanë kokëfortësinë në një proces, i cili filloi dy ditë pas zgjedhjeve, me krijimin e një koalicioni të çuditshëm. Të gjithë janë të gatshëm të bëjnë kompromis me parimet e veta për të luftuar një njeri.

Top Channel