“Fiks Fare” denoncon abuzimin me gjobat

22/10/2014 00:00

Emisioni “Fiks Fare” ka denoncuar në takimin e kësaj të mërkure abuzimet
e policëve të qarkullimit rrugor me gjobat ndaj udhëtarëve, edhe kur
këta të fundit nuk bëjnë asnjë gabim. 

Përmes kamerave të fshehta,
programi investigativ ka treguar policët që ndalojnë udhëtarët dhe më
pas kërkojnë pagesën edhe kur pranojnë se kanë bërë një gabim njerëzor
me ta.

Gjithashtu, në pamjet filmike mund të shihen anëtarët e
Komisionit Administrativ që teksa shqyrtojnë kërkesën e qytetarit
kërkojnë me insistim që ai të paguajë gjobën.

Qytetari Shkëlzen Osmani, pasi është sorollatur për dy javë në dyert e
institucioneve për të fituar të drejtën e tij, ka bërë denoncimin në
“Fiks Fare”.

“Kam ardhur për një problem gjobe të padrejtë. Tek
sheshi “Wilson” një polic më pezulloi lejen me motivacionin ‘qarkullon
me çertifikatën e kontrollit teknik të skaduar’ më datë 12 korrik 2014,
ndërkohë që afati është deri më 21 qershor 2015. Më thanë tek komisioni
që leja, deri më datë 7, nuk ka ardhur akoma. Gjobën e mora më 5 tetor
2014. Kërkoj ndihmë nga “Fiksi” për të nxjerrë të drejtën”, është
shprehur ai.

Pas denoncimit, i dërguari i “Fiks Fare” shkon të kontaktojë zyrtarët e policisë si qytetar, i pajisur me një kamera të fshehtë.

Qytetari: Mund t’ju shqetësojmë?

Punonjësi i policisë: Po.

Qytetari: Kemi një fletë gjobe.

Punonjësi i policisë: Çfarë është?

Qytetari: Një fletë gjobe, e cila është vendosur për kolaudimin dhe e kanë nxjerrë në komision. Faktikisht kolaudimi është, makina i ka pasur të gjitha. Kurse fletëgjoba është kjo…

Punonjësi i policisë: Si gabim më duket. Kur e ke bërë këtë kontrollin teknik, në çfarë date?

Qytetari: Ja, është shënuar këtu. Fleta e gjobës thotë se afati i kontrollit teknik ka mbaruar më datë 21, por është 21 qershor 2015.

Punonjësi i policisë vëzhgon dokumentet.

Qytetari: Që është gabim nejrëzor jam i bindur, por them se pse… Prandaj erdha.

Punonjësi i policisë: S’e ve në dyshim që është gabim. Por atë vetëm ata të komisionit mund ta ndryshojnë. Çfarë të thanë?

Qytetari: Po ja…

Punonjësi i policisë: Puna është se vetëm komisioni e ndan. Ata do ta kthejnë mbrapa, d.m.th do të të japin lejen e qarkullimit. Do vesh atje, do paraqitesh. Në momentin që do t’u tregosh atë, polici mbase do marrë vërejtje, ti do marësh lejen e qarkullimit. E vendos komisioni.

Qytetari: Faleminderit.

Procesi vijon në Komisionin e Patentave në Komisariatin e Qarkullimit Rrugor të Tiranës.

Punonjësi i policisë: Ti je Shkëlzeni?

Qytetari: Po.

Punonjësi i policisë: Ulu.

Qytetari: Unë kam ardhur për të parë se sa…

Punonjësja e policisë: Ulu, ulu, do të dëgjojmë ne me hollësi. Jeni përpara një komisioni administrativ. Në bazë të procesverbalit të datës 05.10 2014 ju ka mbaruar kontrolli teknik, ke ngelur, ke marrë 3-sh. Data 21 korrik 2014.

Qytetari: Më fal por dokumenti skadon më 21 qershor 2015. Prandaj po të them që nuk është e drejtë.

Punonjësi i policisë: Të lutem, ka edhe një fletë tjetër kjo nga mbrapa (dokumenti i kontrollit teknik), ma jep pak.

Qytetari: Të gjitha janë, prandaj them që është e padrejtë. Për të mos bërë llafe kam ardhur, edhe lejet i kam bërë të gjitha. E ke parasysh?

Punonjësi i policisë: Po pra, po. E ke lejen e kontrollit.

Pak momente më vonë.

Punonjësi i policisë: 10 mijë lekë të vjetra gjobë. Ankesa është e drejtë, por… Prit një mandat dhe hajde merr lejen e qarkullimit. Lekët janë të vjetra, jo 100 mijë lekë.

Qytetari: Po prapë se prapë…

Punonjësi i policisë: Po nuk hiqet nga sistemi.

Punonësja e policisë: Prapë se prapë se nuk e ke patur me vete. 

Top Channel