Dhuna i merr jetën një fëmije çdo pesë minuta në mbarë botën. Kështu tregon një studim i fundit i organizatave të bamirësisë, që bën thirrje për një plan për t’i dhënë fund të gjitha formave të abuzimit brenda vitit 2030.
Në një raport, dega britanike e agjencisë së OKB-së për fëmijët, UNICEF, thotë se shumica e vdekjeve ndodhin në zonat e luftës.
I njëjti raport thotë se miliona të rinj nën moshën 20 vjeç ndihen të pasigurtë në shtëpitë e tyre, në shkolla dhe komunitete.
Gjithashtu, dokumenti fajëson urbanizimin e shpejtë, papunësinë tek të rinjtë dhe rritjen e pabarazisë për krijimin e rreziqeve më të mëdha.
Dega e UNICEF në Britani thotë se e publikoi raportin “Fëmijët në rrezik: Veproni për t’i dhënë fund dhunës” për të ndërgjegjësuar të gjithë për rrezikun që u kanoset fëmijëve.
Organizata paralajmëron se rreth 345 fëmijë nën moshën 20 vjeç mund të vdesin çdo ditë përgjatë vitit të ardhshëm nëse qeveritë në mbarë botën nuk veprojnë.
Konstatimet e dokumentit sugjerojnë se fëmijët që janë viktima të dhunës kanë një aktivitet mendor të ngjashëm me atë të ushtarëve që ekspozohen në luftime dhe mbi 30 për qind e tyre kanë gjasa që të preken nga simptoma të stresit post-traumatik.
Ndërsa ata që jetojnë në varfëri, vijon raporti, janë më të prirur të bien viktima të dhunës. Një djal adoleshent në Amerikën Latine është 70 herë më i rrezikuar të vdesë sesa një bashkëmoshatar në Mbretërinë e Bashkuar.
“Ne duam që fëmijët që jetojnë në frikë të keni një mundësi për t’u ndjerë të sigurtë”, deklaroi shefi i degës britanike të UNICEF, David Bull.
Top Channel