Luftime të ashpra në veri të Kobane

21/10/2014 00:00

Pas dy ditëve qetësie, luftime të ashpra kanë nisur sërish në veri të qytetit sirian të Kobane.

Shpërthime të mëdha janë dëgjuar mbrëmjen e së hënës, të cilat më pas u shoqëruan me shkëmbime zjarri intensive dhe bombardime nga ajri të pozicioneve të militantëve të ISIS, të kryera nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Sipas ushtrisë amerikane, koalicioni ka kryer 6 sulme ajrore pranë Kobane gjatë ditës së diel dhe të hënë, gjithashtu edhe 6 sulme të tjera në veri të Irakut.  

Një zyrtar i lartë kurd tha për BBC, se forcat e tij tashmë kanë nevojë për armë të rënda në iniciativën e tyre kundër Shtetit Islamik.

Vetëm disa orë para komenteve të zyrtarit kurd, ushtria amerikane tha se ka lëshuar nga ajri armatime si edhe furnizime mjekësore për luftëtarët kurdë pranë Kobane.  

Më herët gjatë së hënës, reagoi edhe Turqia, ku sipas Mevlut Cavusoglu, shefi i diplomacisë turke Ankaraja do t’i lejojë luftetarët irakiano-kurdë të kalojnë kufirin e saj për të hyrë në Siri, ku të përballen me militantët e ISIS-it në qytetin e rrethuar prej një muaji.
 
“Persa i takon Kobanës, bashkepunimi yne me koalicionin nderkombëtar është i plote. Ajo që duam është eliminimi i çdo kërcënimi në rajon, dhe në këtë perspektivë e shohim hedhjen e ndihmave ushtarake dhe mjekësore nga ajri prej Shteteve të Bashkuara dhe kalimin e vëllezërve tanë irakiano-kurdë”, tha Cavysoglu.

Top Channel