Ekonomia kineze ngadalëson ritmin

21/10/2014 00:00

Ekonomia kineze u rrit me hapin më të vogël që nga rënia e krizës financiare globale, duke sjellë spekulime se qeveria mund të prezantojë më shumë masa stimuluese.

Prodhimi i brendshëm bruto u ngrit me 7.3 për qind në tremujorin e tretë nga një vit më parë, krahasuar me 7.5 për qind që ishte në tremujorin e mëparshëm.

Të dhënat kaluan parashikimet e tregut për një rritje prej 7.2 për qind, por megjithatë shënuan performancën më të dobët që prej marsit 2009. Prodhimi industrial ishte gjithashtu më i mirë se vlerësimet e analistëve.

Prodhimet nga manifaktura u rritën me 8 për qind në shtator nga një vit më parë. Gjithësesi, investimet në asetet e paluajtshme dhe shitjet me pakicë nuk arritën pritshmëritë.

Zyra Kombëtare e Statistikave në Kinë deklaroi se shitjet me pakicë u rritën me 11.6 për qind nga viti i kaluar, krahasuar me parashikimet prej 11.7 për qind.

Investimet në asetet e paluajtshme, që nuk përfshijnë pronarët në zonat rurale, u rritën me 16.1 për qind në nëntëmujorin e parë nga një vit më parë, nën parashikimin e analistëve për një rritje prej 16.3 për qind.

Në tërësi, të dhënat tregojnë se rritja vazhdon të ngadalësohet në ekonominë e dytë më të madhe të botës, duke rritur shqetësimet se mund të ketë efekte negative në përforcimin e rekuperimit të ekonomisë globale.

“Ngadalësimi kinez vjen disa vite pas përmirësimit të situatës në tregje të tjera në zhvillim. Për aq kohë sa Kina vazhdon me këtë hap do të jetë e vështirë për çmimet e mallrave globale që të rriten, një trend që do të bjerë ndesh me vende prodhuese si Brazili dhe Australia”, deklaroi ekonomisti Bill Adams për BBC.

Top Channel