5 vjet burg për Oscar Pistorius

21/10/2014 00:00

Atleti afrikano-jugor Oscar Pistorius është dënuar me 5 vjet burg për vrasjen e të dashurës së tij Reeva Steenkamp.

Gjyqtarja Thokozile Masipa, duke shpallur vendimin në Pretoria njoftoi gjithashtu anulimin e dënimit 3-vjeçar të atletit për armëmbajtje. Menjëherë më pas Pistorius është shoqëruar për në qeli.

Më herët Pistorius u shpall fajtor për vrasje, por jo për vrasje të qëllimshme. Prokurorët e çështjes kishin kërkuar të paktën 10 vjet burg për të, ndërsa mbrojtja shërbim në komunitet dhe arrest shtëpie.

Avokatët e tij mbrojtës kishin argumentuar se sportisti mund të ishte një figurë shumë e cënueshme në ambjentet e burgut, por gjyqtarja u shpreh e sigurtë se burgjet janë të pajisura me të gjitha mjetet për të mbrojtur të dënuarit.

Ajo vlerësoi “kontributin e madh” të Pistorius në shoqëri përmes punës së tij të bamirësisë dhe për ndryshimin e perceptimit publik ndaj paaftësisë.

Por nga ana tjetër vlerësoi se, nëse dënimi do të ishte shumë i butë, administrata e drejtësisë do të humbiste reputacionin e saj.

“Argumentet e paraqitura nga mbrojtja janë të papërshtatshme dhe një dënim pa burgim do të dërgonte mesazhin e gabuar tek komuniteti”, tha gjyqtarja.

Pistorius, 27 vjeç, sportisti i parë i gjymtuar që garoi në Lojrat Olimpike dhe Paraolimpike, vrau Steenkamp ditën e Shën Valentinit të vitit të kaluar. Gjatë procesit gjyqësor ai ka thënë vazhdimisht se e kishte qëlluar atë gabimisht, duke e ngatërruar me një hajdut.

29-vjeçarja Steenkamp, modele, figurë televizive dhe e diplomuar në juridik, u prek tre herë nga plumbat e qëlluar nga Pistorius përtej derës së tualetit në shtëpinë e tyre në Pretoria.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel