“Dekorata e Flamurit” për At Zef Pllumin

19/10/2014 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zgjodhi ditën e ‘Lumturimit’ të Nënë Terezës për të dekoruar At Zef Pllumin me dekoratën e “Flamurit Kombëtar” me motivacionin: “Klerikut, martir, të dënuar me persekutim të përjetshëm nga diktatura, i cili me veprën dhe jetën e tij, mbrojti vlerat e mëdha të fesë, kulturës kombëtare, lirisë dhe dinjitetit njerëzor, të lidhura pazgjidhshmërisht këto me vetëmbrojtjen e atdheut dhe të kombit”.

I pranishëm në Komunën Shëngjin, aty ku është vendosur dhe një bust i At Zef Pllumit, në prani të deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Kosovës, Ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig, ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, Presidenti Nishani vlerësoi lartë figurën e At Zef Pllumit.

“E para ishte fjala thuhet në Bibël dhe i pari duhej të ishte rrëfimi në Shqipërinë që i rikthehej Zotit dhe vetvetes!  Ndaj ai rikthehej si Hermesi i antikitetit të sillte kumtin e 46 viteve nën diktaturë.  Kumt i rëndë!  Vetëm përballja me të mund ta udhëhiqnin shqiptarin nga liria dhe Europa, ndarja me të cilat kishte qenë tragjike. Zef Pllumi lidh fijen e këputur. Ai rrëfen për fuqinë shkatërruese të urrejtjes, për dhunën që bëhet pushtet dhe pushtetin e dhunshëm që shndërrohet në tirani, por njëherësh e krahas saj për dashurinë e shndërruar në heroizëm. Misteri i besimit dhe ai njerëzor, rrugët e pafund të Zotit, dija universale dhe atdhedashuria të ndërthurura si shtresa historike me evolucionin human të shqiptarit ndër shekuj konfiguronin portretin e fratit At Zef Pllumi si më i spikaturi i modernitetit të traditës! Nuk do të kishte gjëmë më të madhe që pas dhunës të fshihej apo manipulohej historia për të përligjur krimet nëpërmjet harresës. Fshehja e krimeve është gjë po aq e rëndë sa krimi vetë, në mos edhe më e rëndë. Ndaj nuk mund të rehabilitohet kurrë tirani Enver Hoxha dhe tirania e tij. Tendenca të tilla janë kriminale, provokuese dhe antihistorike. Shoqëria shqiptare, që aq shumë është përpjekur për demokracinë e vet e ka demonstruar aktin e saj të refuzimit ndaj diktaturës më 20 shkurt 1991. Në këtë kontekst Pllumi është një digë e pakalueshme me jetën dhe veprën e tij”, tha në fjalën e tij Presidenti Nishani.

Edhe të pranishmit e tjerë në këtë ceremoni vlerësuan lart kontributin dhe figurën e madhe të At Zef Pllumit.

Top Channel