Ukrainë-Rusi, marrëveshje për gazin

18/10/2014 00:00

Tre takime në më pak se 12 orë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas, Petro Poroshenko mjaftuan që mes palëve të arrihet një marrëveshje, edhe pse jozyrtare, për furnizimin me gaz të Ukrainës.

Takimet u realizuan në kuadër të samitit euro-aziatik që u zhvillua në Milano ku morën pjesë udhëheqësit më të lartë të vendeve të Bashkimit Europian dhe ishte i pari që prej 5 shtatorit ku palët ulën armët dhe vendosën armëpushimin në Minsk të Bjellorusisë.

Para kamerave presidenti ukrainas deklaroi se nuk ka një marrëveshje konkrete për çështjen e gazit, por shtoi se ka mirëbesim nga të gjitha palët për një zgjidhje brenda 21 tetorit, kur do takohen përfaqësuesit e Komisionit Europian.

Poroshennko tha se samiti shërbeu për arritjen e tre marrëveshjeve me Moskën, e para zbatimi i marrëveshjes së armëpushimit të Minskut, e dyta mbajtja e zgjedhjeve në rajonin e Donetskut sipas ligjeve ukrainase dhe e treta hartimi i një kontratë të re mes dy vendeve për çështjen e gazit.

Më optimist u shfaq presidenti rus i cili tha se u arrit një marrëveshje për furnizimin me gaz të Ukrainës të paktën për periudhën e dimrit. Megjithatë ai shtoi se vendi i tij nuk do të ofrojë më gaz në formë huaje për Kievin dhe se shpresonte që në këtë pikë Bashkimi Europian të ndihmojnë Ukrainën.

Samiti euro-aziatik, ASEM megjithëse u organizua me ndërmjetësimin e Francës dhe Gjermanisë nuk shërbeu për “shkrirjen e akullit” mes Putin dhe kancelares Merkel, megjithëse presidenti rus në përfundim vlerësoi se takimet ishin të dobishme.

Top Channel