Nepal, kërkime për alpinistët në Himalaje

16/10/2014 00:00

Rreth 140 persona janë shpëtuar në majat e Himalajës në Nepal, pas stuhive të akullta që përfshinë rajonin, në kulmin e sezonit të alpinizmit.

Të paktën 12 alpinistë nepalezë e të huaj mbetën të vrarë nga moti i keq, thonë autoritetet lokale, të cilat druhen se bilanci i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.

Operacionet e shpëtimit me helikopterë po pengohen nga erërat e forta dhe të paktën 70 persona konsiderohen ende të pagjetur.

Bëhet fjalë për një nga “shpërthimet” më të egra të motit të verifikuara ndonjëherë në rajon. Shirat e dendura dhe stuhitë e dëborës në Nepal duket se janë shkaktuar nga cikloni Hudhud, që përfshiu më herët Indinë fqinje.

Shumica e vdekjeve ndodhi kur një akullnajë goditi një pikë alpinizmi në Anapurna. Moti i keq përfshiu pikën e pushimit në një lartësi 4.500 metra mbi nivelin e detit, jo shumë larg majës më të lartë të vijës malore, Thorung La.

Alpinistët e vdekur janë kryesisht nepalezë, izraelitë dhe polakë, por sa i përket numrit të saktë të viktimave ka ende lajme kontradiktore.

Raportime të mëhershme sugjeronin se të vdekurit janë 29, të cilët dyshohet të kenë humbur jetën në pika të ndryshme përgjatë rënies së akullnajave dhe orteqeve.

Autoritetet theksuan se kjo periudhë është karakteristike e ngjitjeve dhe gjasat janë që alpinistët të kenë qenë të shumtë.

Mësohet se katër shtetas kanadezë dhe një indian janë mes atyre që konsiderohen të zhdukur dhe policia ka njoftuar se do të rinisë kërkimet brenda së enjtes.

Top Channel