Teksas, rasti i dytë i prekjes nga Ebola

15/10/2014 00:00

Një tjetër punonjës i sistemit shëndetësor në Teksas të Shteteve të Bashkuara ka rezultuar pozitiv ndaj testit të Ebolës, duke shënuar kështu rastin e dytë.

Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet shëndetësore amerikane, sipas të cilave të dy punonjësit kishin trajtuar shtetasin liberian Thomas Duncan, që ndërroi jetë javën e kaluar pasi u bë personi i parë që u diagnostikua me Ebola në Amerikë.

Një zyrtar lokal deklaroi se ka “mundësi konkrete” për raste të tjera dhe njoftoi se po merren masa për të parandaluar përhapjen e virusit.

Identiteti i personit të dytë nuk është publikuar ende, por autoritetet shëndetësore të Teksasit deklaruan se bëhet fjalë për një grua që jeton e vetme, pa kafshë shtëpiake dhe që është mbajtur në izolim për 90 minuta, kohë gjatë të cilës i është matur edhe temperatura.

Ndërkohë, presidenti Barack Obama pritet të zhvillojë një video-konferencë me liderët e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Italisë për të diskutuar mbi krizën e Ebolës.

Më herët gjatë ditës, shefi i misionit të OKB-së për frenimin e Ebolës deklaroi se bota po dështon me përpjekjet e saj për të ndalur përhapjen e virusit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se 4.447 persona kanë vdekur nga rënia e tij, shumica dërrmuese e të cilëve në Afrikën Perëndimore.

Sierra Leone, Liberia dhe Guinea janë vendet më të prekura nga sëmundja, prania e të cilës u verifikua në dhjetor 2013, por u konfirmua vetëm në mars të këtij viti.

Top Channel