SHBA, vdes spiuni i Luftës së Ftohtë

15/10/2014 00:00

Një ish-spiun amerikan, që i kalonte sekrete bërthamore Bashkimit Sovietik në kohën e Luftës së Ftohtë, ka vdekur në moshën 92-vjeçare.

David Greenglass vodhi të dhënat e studimeve atomike teksa punonte për një projekt luftarak në Los Alamos, në Nju Meksiko.

Pasi u arrestua dhe u dërgua në gjyq, ai gënjeu edhe nën betimin se do të tregonte të vërtetën, veprim që çoi të motrën në karriken elektrike.

Vdekja e Greenglass ka ndodhur në korrik, por vetëm sot është raportuar në mediat amerikane.

Lindur në Nju Jork, ai siguroi një rol të rëndësishëm në projektin e quajtur “Manhattan Project”, pasi kishte shërbyer në ushtri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Manhattan Project” ishte programi top-secret i Amerikës për të ndërtuar armën e parë bërthamore në botë. Por Greenglass, një i ri i konvertuar në komunist, filloi t’i kalonte informacione tepër të klasifikuara kunatit të tij, Julius Rosenberg, një spiun sovietik që ishte martuar me motrën e tij, Ethel.

Pasi u arrestua në vitin 1950, Greenglass dëshmoi se gjatë takimeve me Rosenberg kishte parë të motrën të merrte shënime. Por në një intervistë të dhënë më vonë ai tha se kishte gënjyer në mënyrë që të shpëtonte bashkëshorten e tij Ruth, që gjithashtu ishte arrestuar pasi kishte qenë e pranishme në të njëjtin takim.

Vite më vonë në administratën amerikane u ngritën dyshime serioze për ekzekutimin e Ethel, ndërsa Greenglass nga ana e tij nuk shfaqi asnjë shenjë pendese. “Si një spiun që tradhtova familjen time… mua nuk më intereson. Natën e bëj gjumin rehat”, tha ai për gazetarin që e intervistoi në vitin 2001.

Rosenbergët u ekzekutuan të dy për tradhti, ndërsa Greenglass bëri 10 vjet burg në kuadër të një dënimi 15-vjeçar dhe u lirua në 1960-n. Ai vdiq në Nju Jork më 1 korrik, sipas raportimeve të djemve të familjes Rosenberg, Michael dhe Robert Meeropol. Dy vëllezërit ishin në dijeni të vdekjes por nuk donin të tërhiqnin vëmendje mediatike.

Top Channel