Turqi, drejtësia “blindohet” nga Erdogan

13/10/2014 00:00

Kandidatët e mbështetur nga qeveria kanë fituar më shumë vende në një trupë të lartë gjyqësore në Turqi, sipas rezultateve të publikuara këtë të hënë, duke forcuar kështu kontrollin e Presidentit Tayyip Erdogan në Drejtësi, në atë që konsiderohet edhe si fitore ndaj rivalit të tij Fethullah Gulen.

8 nga 10 vendet e lira janë fituar nga kandidatë të mbështetur nga Erdogan, i cili është angazhuar të pastrojë ndikimin e Gulen, një klerik dhe ish-aleat i kthyer në armik, të cilin Presidenti e akuzon se është përpjekur të ndërtojë një bazë paralele pushteti në vend.

Por, rezultati i votimeve të së dielës ka shtuar akuzat e opozitës se po gërryhet gjithnjë e më shumë ndarja e pushteteve në Turqi, duke i bërë jehonë shqetësimeve të ngritura nga Bashkimi Europian javën e kaluar mbi ndërhyrjet politike në drejtësi.

Erdogan thotë se Gulen, i cili jeton në azil të vetimponuar në Shtetet e Bashkuara, ka ushtruar influencën e tij në drejtësi në përpjekje për të kapur të gjithë instrumentet e pushtetit, akuza këto që Gulen i mohon.

Votimi i rreth 14 mijë gjykatësve dhe prokurorëve për 10 prej 22 anëtarëve të Bordit të Lartë të Gjykatësve dhe Këshillit të Prokurorëve (HSYK) shihej si tepër kritik për përpjekjet e Erdoganit për të frenuar pushtetin e partisë së Gulenit “Hizmet”, që konsiderohet ndryshe edhe si lëvizje apo shërbim në dispozicion të tij.

“Fituesit e këtij votimi janë njerëzit tanë, janë vet vendi ynë dhe drejtësia jonë. Me strukturën e saj të pavarur, HSYK do të ecë drejt së ardhmes me një formacion që do të zgjidhë problemet e drejtësisë”, është shprehur Erdogan gjatë një fjalimi në Universitetin Marmara.

Këshilli i Prokurorëve HSYK është përgjegjës për emërimin, transferimin, promovimin dhe pezullimin brenda sistemit të drejtësisë. Dy kandidatët e tjerë fitues janë të afërt me Gulenin, sipas gazetës “Hurriyet”.

Top Channel