ISIS, propagandë kërcënuese ndaj Selisë së Shenjtë

13/10/2014 00:00

Luftëtarët e Kalifatit Islamik, ISIS, nuk ndalet në propagandën e tij kërcënuese. Në revistën zyrtare të grupit, Dabig, puklikohet një foto ku shfaqet Selia e Shenjtë e Vatikanit dhe flamuri i xhihadit i vendosur në majë të saj.

Kjo pamje e modifikuar nga ISIS është e bazuar në strategjinë e tyre për të vazhduar sulme gjithëpërfshirëse. Shkrimi i botuar në Dabig thekson se Roma do të kthehet në shënjestrën e tyre të parë perëndimore, për shkak të veprimtarisë së hershme të kryqëzatave.

Sipas retorikës së grupit, të gjithë perëndimorët janë pasardhës të djepit të krishtërimit, Romës, dhe kjo fe duhet zëvendësuar tashmë me besimin e tyre.

Zëdhënësi i grupit xhihadist ISIS, Mohammed al-Adnani, në një deklaratë pretendon se xhihadistët ndonjë ditë do të pushtojnë Romën.

“Me lejen e Allahut, ne do të pushtojmë Romën, e nëse ne nuk arrijmë në kohë, do të jenë fëmijët ose nipërit tanë, ata që do ta çojnë misionin deri në fund”, tha al-Adnani.

Ndërsa me një gjuhë të ashpër, në pjesën e fundit të deklaratës së tij, al-Adnani u bëri thirrje përkrahësve të xhihadit të sulmojnë gjithë perëndimorët “kudo që ata mund të gjenden, kryesisht në çdo vend që ka hyrë në aleancën kundër Shtetit Islamik; SHBA, Britani e Madhe, Francë, Australi dhe Gjermani”.

Por, krahas mizorive të ISIS me zaptime territoresh, një raport i fundit i “Human Rights Watch” thotë se grupi terrorist po kryen rrëmbime në masë të femrave të komunitetit Yazidi për qëllime mizore, shitje të tyre për shifrën e 1.000 dollarëve, ose për t’i martuar me forcë me militantët që luftojnë krah ISIS.

Top Channel