Përgatitet prodhimi i vaksinës për ebolan

12/10/2014 00:00

Sa herë një sëmundje e rrezikshme frikëson botën, mbi autoritetet shëndetësore shtohet presioni për gjetjen e një zgjidhjeje e cila në pjesën dërrmuese të rasteve vjen në formën e vaksinave.

Ebola nuk bën përjashtim. Tre vaksina kundër virusit të tmerrshëm po krijohen në Rusi e sipas ministres vendase të Shëndetësisë, ato mund të jenë gati brenda 6 muajve.

“Njëra prej vaksinave është shumë pranë prodhimit dhe testet paraprake i kemi kryer tashmë. Qëllimi i saj është çaktivizimi i shtamit. Dy të tjerat janë vaksina të përpunuara gjenetikisht në institutet tona më të mira të virologjisë. Besoj do të jenë gati brenda pak muajsh, periudha gjatë së cilës do të testohen me shumë kujdes në mënyrë që të minimizohen rreziqet në injektim”, shpjegoi Veronika Skvortsova, ministre e Shëndetësisë.

Sipas Zërit të Amerikës, prova klinike për një vaksinë premtuese të ebolës po kryhen edhe në Malin kufitar me Guinenë, epiqendër e epidemisë së virusit vdekjeprurës. Vaksina, e krijuar nga hulumtues në Institutin Kombëtar Amerikan të Shëndetësisë dhe kompania farmaceutike britanike GlaxoSmithKline, ishte 100 përqind e efektshme në mbrojtjen e majmunëve ndaj ekspozimit vdekjeprurës përballë ebolës. Ajo stimulon sistemin imunitar duke përdorur një proteinë joinfektive të Ebolës, që mbartet nga një virus i padëmshëm i të ftohtit.

Ashtu si vaksina kundër lisë, edhe kjo e ebolës mund të parandalojë potencialisht sëmundjen tek personat e ekspozuar ndaj virusit të tmerrshëm, përfshirë edhe punonjësit e kujdesit shëndetësor.

Top Channel