Turqia mbështet opozitën siriane

11/10/2014 00:00

Turqia ka rënë dakord për të ndihmuar në trajnimin dhe pajisjen me armatime të grupeve të moderuara të opozitës në Siri, ka thënë të premten Departamenti amerikan i Shtetit. Një ekip amerikan i planifikimit ushtarak pritet të mbërrijë javën e ardhshme në Ankara për bisedime të mëtejshme lidhur me këtë çështje. 

Gjenerali John Allen, përgjegjës për ndërtimin e koalicionit kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak ka udhëtuar për në Turqi, ku sipas mediave ndërkombëtare synimi kryesor i kësaj vizite është nxitja e zyrtarëve turq të luajnë një rol ëmë të madh në këtë luftë.

Edhe Turqia u përfshi nga tensioni gjatë kësaj jave, ku kurdët dolën në rrugë për të protestuar ndaj indiferencës së qeverisë turke në lidhje më situatën në Siri.

I dërguari i OKB-së bëri sërish thirrje ndaj Turqisë për të ndihmuar në parandalimin e një masakre në qytetin kufitar sirian të Kobanes, nëse ky do të bjerë në duart e luftëtarëve të Shtetit Islamik, duke thënë se ai i frikësohet një përsëritjeje të masakrës së Srebrenicës, më 1995, kur u shënuan me mijëra viktima.

Zëdhënësja e DASH tha se ndihma e Turqisë është mjaft e rëndësishme, jo vetëm në drejtimin e veprimeve ushtarake. Ndërsa shtoi se diskutimet kanë përfshirë edhe mundësinë e dërgimit të trupave tokësore nga Turqia në luftë.

Top Channel