Irani shqyrton propozimin amerikan për paqe, Trump: Lufta mund të përfundojë shpejt
Një sondazh mbi zgjedhjet parlamentare në Ukrainë, i publikuar gjatë së premtes, tregon se blloku në mbështetje të Presidentit Petro Poroshenko duket se do të regjistrojë një fitore bindëse gjatë votimeve të 26 Tetorit, pavarësisht konfliktit me separatistët në Lindje të vendit.
Poroshenko, i zgjedhur me një mazhorancë të theksuar votash Majin e kaluar, pas rrëzimit të paraardhësit të tij të mbështetur nga Moska, ka hedhur vështrimin nga zgjedhjet e fundmuajit për t’i dhënë më shumë legjitimitet rendit të ri pro-Perëndimor të Kievit, si dhe për të siguruar më shumë mbështetje ndaj planit të tij për paqe në rajonet lindore, duke i mbajtur ato ende nën kufirin ukrainas.
Sondazhi i bërë nga grupi “GfK”, sugjeron se blloku pro-Poroshenko mund të fitojë 29,9 përqind të votave, kundrejt 8,7 përqind të partisë së vendit të dytë, të ish-kryeministres Yulia Tymoshenko. Partia Radikale, e udhëhequr nga politikani popullor Oleh Lyashko, renditet e treta me rreth 7,6 përqind të votave.
Rezultatet e këtij sondazhi tregojnë se një Parlament tërësisht i ndryshëm pritet të krijohet pas 26 Tetorit, duke eklipsuar shumë figura të afërta me Viktor Yanukovichin pro-Moskës, të cilët kanë ruajtur vendet e tyre si deputetë pavarësisht rrëzimit të tij si President nga protestat kombëtare në rrugë.
Pas muajve të tërë trazirash, që kanë përfshirë edhe aneksimin e gadishullit të Krimesë nga ana e Rusisë, si dhe rebelimin e separatistëve në rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut, Partia e Rajoneve e Yanukovichit duket se është shuar praktikisht si një forcë politike. Shumica e anëtarëve të saj kanë kaluar me bllokun opozitar të ish-ministrit të Naftës, Yury Boiko, dhe partinë “Ukraina e Fortë” të ish-bankierit Serhiy Tigipko.
Sondazhi i “GfK”-së është bërë vetëm për gjysmën e Parlamentit 450 vendesh, për të cilat deputetët zgjidhen nga listat e partive, duke mos përfshirë 225 vendet që zgjidhen mbi bazën e kandidatit që merr më shumë vota se të tjerët (FPTP).
Top Channel