“Turqia të parandalojë një Srebrenicë të dytë”

10/10/2014 00:00

I dërguari i OKB-së ka bërë sërish thirrje ndaj Turqisë, këtë të premte, për të ndihmuar në parandalimin e një masakre në qytetin kufitar sirian të Kobanes, nëse ky do të bjerë në duart e luftëtarëve të Shtetit Islamik, duke thënë se ai i frikësohet një përsëritjeje të masakrës së Srebrenicës, më 1995, kur u shënuan me mijëra viktima.

Staffan de Mistura, i dërguar i OKB në Siri, apeloi ndaj Ankarasë të lejojë “vullnetarët” të kalojnë kufirin, në mënyrë që ata të mund të përforcojnë radhët e milicive kurde për të mbrojtur qytetin, i cili shtrihet shumë pranë kufirit me Turqinë, sa që ngjarjet në të mund të shihen me sy të lirë edhe përtej kufirit.

Ai riktheu kujtimet e shpërbërjes së Jugosllavisë, kur forcat e serbëve boshnjakë marshuan drejt qytetit të Srebrenicës, që supozohej të ishte nën mbrojtjen e OKB-së, dhe ekzekutuan me vrasje më shumë se 8 mijë burra e djem muslimanë.

“A e mbani mend Srebrenicën? Ne e mbajmë dhe nuk e harrojmë kurrë dhe ndoshta nuk do ia falim kurrë vetvetes mosndërhyrjen në atë rast”, tha de Mistura në një konferencë për shtyp.

Turqia ka vendosur tanke në kodrat përreth Kobanes, por deri më tani ka refuzuar të ndërhyjë pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Shtetet e Bashkuara apo aleatët e tjerë, në luftën civile siriane. Gjithashtu, Turqia nuk po lejon as kurdët e Turqisë që të kalojnë kufirin dhe të luftojnë përkrah kurdëve të tjerë në mbrojtje të qytetit.

“Do të donim të apelonim ndaj autoriteteve turke, për të lejuar kalimin e vullnetarëve minimalisht, por edhe mjetet e tyre në mënyrë që të hyjnë në qytet dhe të kontribuojnë në aksionet vetmbrojtëse”, tha de Mistura në Gjenevë.

Duke parashikuar se Kobane do të bjerë “nëse do të lihet e papërkrahur”, ai tha se vetëmbrojtja me mjete të mjaftueshme për ta bërë këtë ishte një e drejtë humane ndërkombëtare.

Ndërkohë që shumica e popullsisë është larguar nga vendi për shkak të ofensivës së Shtetit Islamik, rreth 500-700 njerëz, kryesisht të moshuar, janë ende në qytet, disa edhe duke mbrojtur Kobanen.

I pyetur nëse ai kërkonte që Turqia të lejonte furnizimin me armë, de Mistura u përgjigj: “Thash gjithçka të nevojshme, kur përmenda mjete, ato mund të jenë shumë gjëra”.

Top Channel