Tensioni në Turqi, vriten dy policë

10/10/2014 00:00

Edhe gjatë ditës së enjte tensionet në Turqi kanë qenë të larta. Dy policë janë vrarë dhe një tjetër është plagosur në një sulm në provincën lindore Bingol, ka raportuar televizioni “CNN Turk”.

Policët u sulmuan në qendër të qytetit, ndërsa ata ishin duke inspektuar dyqanet e dëmtuara në protestat e dhunshme të zhvilluara gjatë kësaj jave nga kurdët.

Detaje të tjera në lidhje me ngjarje nuk janë dhënë, gjithashtu asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjet.

Mijëra kurdë kanë dalë në rrugë gjatë kësaj jave për të protestuar ndaj indiferencës së qeverisë turke në lidhje më situatën në Siri. Të paktën 25 persona janë raportuar të vdekur deri tani pas ndërhyrjes së trupave turke të cilët përdorën edhe tanket për të vendosur qetësinë pas protestave të dhunshme.

Shefi i Partisë Siriane të kurdëve PYD, Salih Muslim, nje aleat i PKK-së, i ka kërkuar Qeverisë në Ankara t’u mundësojë luftëtarëve kurdë nga zonat e tjera të Sirisë që të shkojnë për në Kobane përmes territorit turk.

Vetë Erdogan e acaroi edhe me shume situatën me pohimet e tij se qyteti do të dorëzohet shumë shpejt përpara vrullit të xhihadistëve.

Top Channel