Si të evitohet rritja e çmimit të energjisë elektrike

10/10/2014 00:00

KLODIAN MUÇO – Ju mund t’i çoni ujë kalit, por nuk mund ta detyroni atë
ta pijë! Me këtë metaforë Keynesi shpjegonte se një sipërmarrës nuk merr
më kredi qoftë edhe me një kosto shumë të ulët, nëse qytetarët s’kanë
mundësi të blejnë produktet që ai prodhon, pra kriza e kredive në vendin
tonë dhe ngadalësimi i rritjes së prodhimit apo të eksporteve janë të
paevitueshme në kushtet kur qytetarët s’kanë mundësi të blejnë për të
konsumuar.

Kriza ekonomiko-financiare e ditëve të sotme që ka “ulur në gjunjë” shumicën e vendeve të botës, është pikërisht një krizë kërkese. Pra ka varfëruar pikërisht konsumatorin e thjeshtë duke thelluar diferencën ndërmjet klasave. I varfëri është bërë edhe më i varfër, duke mos pasur në shumë raste edhe të ardhurat minimale jetike, ndërsa të pasurit janë pasuruar edhe më tepër. Për të dalë nga kjo krizë nevojiten politika strukturore të orientuara nga kërkesa dhe jo nga oferta, si? ka ndodhur deri në këto momente. Me terma të thjeshta, nëse një pensionisti i ul pensionin, apo nuk ia indeksion me kalimin e kohës, dhe nga ana tjetër i rrit ?mimet e të mirave të konsumit, e detyron atë të konsumojë më pak, ia vështirëson më tepër jetën atij dhe më vonë edhe ekonomisë së vendit.

Për sa i përket Shqipërisë, konsumi përbën 74% të GDP-së (prodhimit të përgjithshëm bruto). Nëse nuk stimulohet konsumi, e aq më keq nëse dëmtohet konsumi, për qeverinë e re do jetë një ferr i vërtetë për të arritur të rrisë prodhimin apo aq më keq të ulë borxhin publik deri në 2016 me 3%. Nuk duhet harruar që edhe borxhi publik shprehet si raport me GDP-në, nëse kjo e fundit nuk rritet, apo aq më keq të ulet, si? ndodhi në 3-mujorin e dytë të 2014, raporti borxh publik/GDP në vend që të ulet me 3% deri në fund të 2016 ka gjasa që të rritet edhe më tepër.

Për këtë arsye u skandalizova kur lexova se Banka Botërore sugjeronte që ne të rrisim ?mimin e energjisë elektrike me rreth 20% e në të ardhmen të rrisim dhe taksat, e gjitha kjo si kusht për kredinë 150 milionëshe që i dha shtetit shqiptar para disa ditëve. Duke ditur që Shqipëria ashtu si shumë vende të Europës është “infektuar” nga kriza ekonomike dhe “vuan” nga një frenim i ekonomisë, ku një pjesë e mirë e treguesve makroekonomikë të vendit janë shumë shqetësues, këshillojnë të rrisim ?mimin e energjisë elektrike dhe në të ardhmen taksat, për të ?uar në kolaps jo vetëm sistemin energjetik, por gjithë ekonominë e vendit.

Është paradoksale të mendohet kjo gjë, kur u pa se ç’ndodhi në Greqi, të vazhdohet në kohë krize me politika austerity. E gjithë Europa sot vuan nga këto lloj politikash, duke mos stimuluar rritjen ekonomike e duke kërkuar me ?do kusht në kohë krizash politika restriktive nga ana e ofertës. Kriza kështu bëhet gjithmonë e më e rrezikshme, duke rritur gjithmonë e më tepër borxhin publik e të njëjtin fat do e ketë edhe deflacioni, me pasoja të rënda për ekonominë dhe mirëqenien sociale të qytetarëve.

Ky institucion, që këshilloi privatizimin e sistemit të shpërndarjes së bashku me termat dhe kushtet e kontratës së shitjes, e cila rezultoi të ishte një dështim total me një fature rreth 700 milionë dollarësh dëm që do dalin nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë, sugjeron tani edhe rritjen e ?mimit të energjisë elektrike, po për ata qytetarë që paguajnë përsëri. Pse e gjitha kjo?! Pse duhet t’ua komplikojmë jetën qytetarëve që paguajnë apo qeverisë aktuale, që i duhet të bëjë mrekulli për të rregulluar një vend që “fut ujë” nga të gjitha anët?!

Të gjithë e dinë se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike rreth 40% të energjisë e humbet në rrjet, pra jo pak, por rreth 140 milionë euro në vit, nga të cilat 80 milionë euro janë humbje për shkak të vjedhjes. Pse duhet të këshillohet shtrenjtimi i energjisë, që do të diskriminojë konsumatorët që paguajnë energjinë? Pse konsumatorët që paguajnë duhet të paguajnë edhe më tepër, ndërsa ata që s’paguajnë të vazhdojnë të vjedhin e të mos paguajnë?

Një zgjidhje e mirë për të gjithë do ishte që Banka Botërore t’i këshillonte qeverisë një mundësi për të ulur humbjet në rrjet, pra ta ndihmojë me konsulencë apo kredi për të evituar të gjitha humbjet dhe vjedhjet, si? ndodh në vendet e civilizuara.

Është e vërtetë që nuk është e thjeshtë të ulen humbjet dhe të evitohen vjedhjet në një vend si Shqipëria, por gjithsesi ka zgjidhje edhe kjo gjë.

Ekzistojnë për shembull sistemet e pagesës së energjisë elektrike me anë të kartave elektronike. Pra sahatet Poëer Pay me anë të të cilëve energjia elektrike paguhet, si? mund të paguhet karta rimbushëse e një telefoni celular. Ky sistem, jo vetëm që është shumë i lehtë dhe transparent për klientët, por eviton 100% humbjet në rrjet, pasi energjia që konsumohet parapaguhet. Nëse nuk paguan, nuk mund ta konsumosh atë. Për më tepër, është shumë cilësore edhe për menaxhimin e mirë të ngarkesës. E gjitha kjo nuk është as fantashkencë as superteknologji. Këto lloje sahatesh nuk janë fare të shtrenjta. Nëse bëni një kontroll të thjeshtë në çfarëdo lloj siti e-commerce, do vëreni se vlera e këtyre sahateve varion nga 20$ deri në 150$. Këto lloje sahatesh kanë filluar të përdoren gjerësisht nga operatorët turistikë, për t’u bërë të mundur klientëve që të paguajnë aq energji sa konsumojnë në shtëpitë që marrin me qira për të kaluar pushimet.

Vallë pse këto institucione të huaja që kanë dëshirën e mirë të ndihmojnë Shqipërinë nuk i këshillojnë apo t’i vënë si kusht që nga kredia që japin të blihen sahate me karta rimbushëse dhe nuk ka nevojë që të rritet ?mimi i energjisë. Nëse evitohen humbjet, që si? e përmenda, jo vetëm që evitohet kjo rritje që dëmton konsumatorët dhe ekonominë e vendit, por shpëton njëherë e përgjithmonë sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike nga kolapsi.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për rritjen e taksave që sugjerojnë FMN dhe Banka Botërore për të ulur borxhin publik. Vendi ynë ka “luksin” që ka një ekonomi informale që shkon deri në 40%. S’ka nevojë për rritje taksash. Nëse rritet eficenca e vjeljes së taksave, ne jemi një vend që do arrinim edhe t’i ulnim taksat edhe me tepër sesa janë aktualisht. Jo më kot në kontekst e quaj ekonominë tonë luks, pasi i jep mundësinë qeverisë që të rrisë të ardhurat fiskale pa rritur taksat. Edhe në këtë rast nuk është e pamundur që të ulet ekonomia informale, mjafton që inspektorët tatimorë të mos limitohen vetëm më kontrollin për kasa fiskale, por të kontrollojnë dhe të kërkojnë llogari për të prerë kuponët tatimorë. Personalisht e kam pasur rrallë privilegjin të marr një kupon tatimor në Shqipëri. Nëse inspektorët tatimorë do vendosnin gjoba ashtu si po ndodh kohët e fundit për ndalimin e duhanit në ambientet publike, jam i bindur se të ardhurat fiskale do rriteshin ndjeshëm në një kohë të shpejtë.

Ndërsa për zgjidhjen e krizës ekonomike është pak më e komplikuar po dhe në këtë rast mjafton të merret si shembull Obama, kur për të nxjerrë vendin nga kriza aplikoi Recovery Act. Ku politika monetare u alternua dhe koordinua me atë fiskale. U printuan rreth 800 miliardë dollarë të cilat shkuan për politikat industriale, ndërtimin e veprave të mëdha në infrastrukturë dhe në asistencë sociale për të papunët. Kriza tashmë në Amerikë është vetëm një kujtim i hidhur. Ose më saktë është alternativa e krizës që po përjeton Europa, ku bëjmë pjesë edhe ne. Prof. Ermelinda Meksi dikur ka thënë se ekonomia është një ekuacion i vështirë, por me gjithë vështirësitë që ka, nuk është e pamundur edhe zgjidhja e krizës ekonomike së sotme që po përjeton vendi ynë.

Top Channel