SHBA, Forcat Ajrore “hetohen” për shpërdorim fondesh

10/10/2014 00:00

Një agjenci mbikëqyrëse ndaj qeverisë amerikane ka kërkuar nga Forcat Ajrore (USAF) të japin shpjegime në lidhje me shkatërrimin e 16 avionëve luftarakë, të blerë fillimisht për Forcat Ajrore afgane, e që më pas i kthyen në materiale për skrap me vlerë 32 mijë dollarë, në vend që të gjenin rrugë të tjera për të shpëtuar rreth 500 milionë dollarë financime amerikane, të shpenzuara për këtë program.

John Sopko, kryeinspektor special për rindërtimin e Afganistanit, pyeti Sekretaren e Forcave Ajrore, Deborah James, të dokumentonte të gjitha vendimet e marra rreth shkatërrimit të 16 avionëve “C-27A”, të cilët gjendeshin në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit prej vitesh, dhe se çfarë ka planifikuar shërbimi të bëjë me 4 avionë të tjerë, që tashmë gjenden në Gjermani.

“Jam i shqetësuar se zyrtarët përgjegjës për planifikimin dhe ekzekutimin e kthimit në skrap të këtyre avionëve mund të mos kenë konsideruar alternativa të tjera të mundshme, në mënyrë që të shpëtonin sa më shumë dollarë të taksapaguesve”, ka thënë Sopko në një letër drejtuar James, që daton më 3 Tetor dhe që është publikuar këtë të enjte nga zyra e tij.

Sopko është interesuar gjithashtu nëse pjesë të tjera të avionëve mund të jenë shitur përpara shkatërrimit të tyre nga Agjencia për Logjistikën e Mbrojtjes.

Zyra e Sopkos po heton çështjen që prej Dhjetorit 2013, pasi një numër i shumtë grupesh jofitimprurëse dhe zyrtarë ushtarakë kanë ngritur dyshime në lidhje me shpërdorimin e fondeve për avionët.

Qeveria amerikane shpenzoi rreth 486 milionë dollarë për të blerë dhe rinovuar 20 avionët e vjetër “C-27A” nga Alenia, një njësi e “Finmeccanica SpA” e Italisë, por më vonë anuloi programin për shkak të mungesës së pjesëve të këmbimit, të cilat kufizonin disponueshmërinë e tyre për përdorim ushtarak.

Në vend të kësaj, Pentagoni vendosi të blinte 4 avionë më të mëdhenj “C-130”, të ndërtuar nga Koorporata “Lockheed Martin”, për të kryer më tej punët. Zëdhënësi i Pentagonit, major Brad Avots, tha se ushtria amerikane vendosi të shkatërronte avionët “për të minimizuar impaktin e tërheqjes së forcave amerikane në Afganistan”, por do të japë më shumë informacione pas rishikimit.

Top Channel