Propozimi me 6 pika i Gjermanisë: Zgjerim me vendet e Ballkanit Perëndimor, disa vendime brenda Unionit me shumicë të kualifikuar
Presidenti rus Vladimir Putin i ka bërë të ditur Moldavisë se duhet të marrë në konsideratë interesat ruse, përpara se të lidhë marrëdhënie më të ngushta tregtare me Bashkimin Europian.
Putin ka folur në një samit në Bjellorusi, mes liderëve të ish-republikave sovjetike, përfshi këtu edhe Moldavinë. Ai ka thënë se dëshiron që Moldavia të shtyjë marrëveshjen për tregtinë e lirë me BE-në deri në vitin 2016, ashtu siç ka rënë dakord edhe Ukraina së fundi.
Rusia mbështet separatistët në Trans-Dniester, një rrip i gjatë toke i cili është shkëputur nga Moldavia në vitin 1992. Separatistët prorusë në Ukrainë janë të armatosur rëndë dhe po luftojnë kundër forcave qeveritare në Lindje të vendit, duke rritur kështu shqetësimet se konflikti i ngrirë në Moldavi mund të rigjallërohet sërish, sipas modelit ukrainas.
Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara akuzojnë Rusinë se ka dërguar trupa dhe armatime në Lindje të Ukrainës për të ndihmuar rebelët, gjë që Moska nuk e ka pranuar asnjëherë.
Putin paralajmëroi se integrimi ekonomik mes disa prej ish-republikave sovjetike dhe Bashkimit Europian mund të minojë marrëdhëniet preferenciale tregtare me Rusinë. Ai po përpiqet t’i nxisë këto vende drejt bashkimit ekonomik euro-aziatik të udhëhequr nga Rusia.
Moldavia është një prej vendeve më të varfra të Europës dhe ka lidhje tepër të ngushta ekonomike dhe kulturore me Rumaninë fqinje, tashmë një anëtare e BE-së.
Në Qershor, BE-ja nënshkroi marrëveshje partneriteti me Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën, gjë që shkaktoi pakënaqësi te Rusia, për shkak se tregjet ruse mund të pushtohen nga mallrat e mira dhe të lira nga BE, duke goditur kështu prodhuesit rusë.
Muajin e fundit, presioni i Rusisë rezultoi në pranimin mes BE-së dhe Ukrainës për të shtyrë deri në vitin 2016 pjesën mbi tregtinë e lirë në marrëveshjen e tyre të re të partneritetit.
Rusia ka bindur gjithashtu BE-në ta marrë edhe atë në konsideratë në bisedimet të mëtejshme mbi impaktet e marrëveshjeve të tregtisë në ekonominë ruse.
Top Channel