Koretë, shkëmbim zjarri në kufirin tokësor

10/10/2014 00:00

Korea e Veriut dhe ajo e Jugut kanë shkëmbyer zjarr në kufirin e tyre tokësor, kanë bërë të ditur autoritetet jugore. Incidenti u verifikua pasi disa aktivistë koreano-jugorë lëshuan drejt qiellit balona që mbanin fjalë kundër liderit koreano-verior Kim Jong un.

Peniani kishte paralajmëruar për “pasoja katastrofike” nëse Sueli do të lejonte aktivistët të vazhdonin me aktivitetet e tyre.

Të dyja palët shkëmbejnë herë pas here zjarr në kufirin e diskutueshëm detar, por incidentet tokësore janë shumë të rralla.

Agjencia jugore “Yonhap”, duke cituar burime ushtarake, njoftoi se Veriu qëlloi kundër balonave dhe Jugu u përgjigj pasi disa të shtëna ranë në pjesën tokësore të tij.

Ende nuk ka një informacion të saktë nëse nga të shtënat ka pasur viktima. Të dhënat paraprake flisnin për të shtëna artilierie, por agjencia e lajmeve “Reuters”, duke cituar burime nga Ministria e Mbrojtjes, raporton se bëhet fjalë vetëm për armë automatike.

Dy Koretë ndahen nga Zona e Çmilitarizuar dhe teknikisht janë në luftë që kur Lufta Koreane e viteve 1950-53 përfundoi me një armëpushim dhe jo me një traktat paqeje.

Grupe aktivistësh herë pas here lëshojnë balona përtej kufirit, veprim ky që acaron tej mase Penianin.

Top Channel