Progres raporti për Shqipërinë

09/10/2014 00:00

Eksperti për çështjet e integrimit, Gjergji Vurmo ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, ku foli mbi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në veçanti për progres raportin e këtij viti.

Pandi Gjata: Do të doja një koment për të krahasuar progres raportin e këtij viti me atë të një viti më parë.

Gjergji Vurmo:
Ka nota më pozitive sidomos në lidhje me disa prioritetet kuçe që janë për Shqipërinë në kudër të procesit të integrimit europian. Është vendosur theksi te sfidat, por janë nënvizuar edhe arritjet. Disa arrtije në kuadër të legjislacionit për përmirësimin e luftës antikorrupsion, arritje kundër krimit të organizuar, arritje të tjera në kuadër të reformës në administratës publike. Duhet të kemi parasysh që nëse raporti i 2013-ës ka qenë më pozitiv për administratën publike dhe i vitit 2014 e vlerëson atë progres, por me nota më pak optimiste. Sfidat në kuadër të reformës në administratës publike janë akoma më të mëdha se sa vitin e shkuar. Një vit më parë është vënë theksi te miratimi i ligjit, ndërkohë në 2014 problemet do të fokusohen te miratimi i të gjithë paketës ligjore për reformën në administratën publike dhe zbatimin e tyre.

Pandi Gjata: Mungesa e dialogut politik, domosdoshmëria e gjithëpërfshirës së palëve në reformat kyçe ka qenë kryefjalë në dokumentin e këtij viti. Si e shikoni këtë sfidë për klasën politike?

Gjergji Vurmo: Është një element që na përsëritet. Ky është një fenomen, i cili është bërë pjesë e kulturës sonë politike dhe mesa duket është akoma e vështirë për politikën ta tejkalojë këtë sfidë. Për 2014-ën Shqipëria dhe Maqedonia ishin dy vendet ku u referua bojkoti parlamentar. Reformat për procesin e integrimit janë të rëndësishme në këtë stad që ne ndodhemi aktualisht, kërkojnë dakordësim sa më të gjerë politik, i cili bazën e ka te dialogu politik, por te ne kjo është një kulturë e munguar. Kjo do të reflektohet jo vetëm te Brukseli, por do të reflektohet më shumë te vendet anëtare, të cilat po marrin një peshë gjithnjë e më të madhe.

Pandi Gjata: Komisioni Europian nuk e ka prioritet zgjerimin me vende anëtare të reja. A shikoni një histori që mund të na vonojë në këtë raport?

Gjergji Vurmo: Ka disa element të rëndësishëm në këtë prezantim të këtij viti të raportit. Elementi i parë është fakti që Komisioni Europian tashmë po e njeh edhe këtë rol të shtuar të vendeve anëtare, më tej KE-ja po njeh edhe faktin që duhet ndërtuar dhe duhen marrë masa edhe brenda vet BE-së. Fakti që për 5 vitet e ardhshme nuk do të ketë zgjerim, kjo është një gjë e cila dihet, duke pasur parasysh progresin e të gjitha vendeve që aspirojnë. Nuk do t-ia uroja as Shqipërisë që në 5 vitet e ardhshme të futej në BE, pasi në këto 5 vite është e pamundur të bëhemi gati dhe nuk mund të anëtarësohemi në një klub që të jemi thjesht kontributor neto në buxhetin e atij klubi dhe të mos marrin asgjë mbrapa. Mbase ishte edhe një element i cili ndoshta nuk ishte e nevojshme të theksohej nga Juncker për këtë arsye. Progres raportet e rajonit për 2014-ën nëse do të shikoheshin gjetjet kryesore në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka ndonjë hap sensacional. E vetmja gjë e mirë është sugjerimi që jep komisioni për Turqinë që të hapen negociatat për dy kapituj të rinj. Këtë Komisioni e sheh gjithashtu edhe si një instrument në dorën e vet për të kthyer proceset e reformave në Turqi në parametrat e një rrugëtimi normal drejt BE-së.

Pandi Gjata: Ne kemi qenë gati në një stad me Serbinë dhe Malin e Zi. Tashmë a kemi shanse të kapim ritmin e tyre?

Gjergji Vurmo: Kjo është pyetje me shumë të panjohura. Në rastin e Shqipërisë kemi një të panjohur shumë të madhe që është mënyra se si do të sillet politika shqiptare. Gjithashtu do të varet edhe nga vet progresi i Serbisë dhe Malit të Zi. Do të ishim më produktiv nëse do të fokusoheshim te vetja jonë, te ai kuadër reformash që kemi planifikuar tashmë. Për vitin 2013-2014 janë vërejtur një sërë hapash pozitiv dhe duket se gjasat janë të tilla që nëse do të vazhdohet procesi mund të përshpejtohet.

Top Channel