Patrick Modiano fiton çmimin Nobel për Letërsinë

09/10/2014 00:00

Patrick Modiano, lindur më 30 Korrik 1945 në Boulogne-Billancourt, është shkrimtar francez, autor i 30 romaneve, që ka fituar disa çmime prestigjioze.

Juria e Nobelit, me rastin e dhënies së çmimit, theksoi se Parick është shpërblyer “për artin e tij të kujtesës, me të cilën ai ka evokuar fatet më të pakapshme të njerëzimit, të zhveshur nga bota e pushtimit”.

Romanin e parë “La Place de l’ètoile” (Sheshi i yllit), Modiano e ka botuar në vitin 1968 dhe 10 vjet më vonë ka fituar çmimin “Goncourt”, për romanin “Rue des boutiques obscures” (Rruga e butikëve të zymtë).

Në vitin 1996, ai ka marrë shpërblimin kombëtar të Francës në letërsi, për krijimet në këtë fushë. Libri i tij i fundit, “Pour que tu ne te perdes pas dans le quartier” (Që të mos humbasësh në lagje), doli nga shtypi sivjet, në fillim të Tetorit. Është një roman 160 faqesh, që e dërgon lexuesin në universin e shkrimtarit, detektivin e së kaluarës, duke lundruar nëpër kujtime.

Romanet e tij të tjera: “Vallja natës”, “Bulevardi i rrethit”, “Vila e pikëlluar”, “Libreza familjare”, etj. Patrick Modiano është shkrimtari i 15 francez që merr këtë çmim, një nga më prestigjiozët në botë.

Por, cila është rruga për të arritur deri të fitimi i çmimit Nobel?

Çdo vit, pranë Akademisë Nobel shkojnë më shumë se 200 kandidatura, nga të cilat, në bashkëpunim me ekspertët, në muajin Maj zgjidhen vetëm 5, që do të vazhdojnë garën deri në ditët e para të Tetorit, kur dhe shpallet fituesi.

Kush e përzgjedh fituesin?

Akademia Suedeze ka 18 anëtarë; poetë, shkrimtarë, studiues, etj., që përzgjedhin emrin fitues.

Si përzgjidhen konkurrentët nga gjithë bota?

Megjithëse bota është shumë e madhe, organizuesit e çmimit Nobel e kanë gjetur recetën e tyre se si i përzgjedhin shkrimtarët e mirë, në më shumë se 7 miliardë banorë.

Çfarë e bën një shkrimtar fitues?

Për fituesin nuk mjafton një libër, duhet një krijimtari e tërë për të bindur Akademinë, se ai person e meriton vlerësimin me çmimin Nobel.

Si votohet për fituesin?

Pas një diskutimi të gjatë, të gjithë anëtarët votojnë për emrin e fituesit. Me shumicë votash vendoset se kush do të jetë i përzgjedhuri.

Kur e merr vesh shkrimtari që ka fituar?

30 minuta përpara se vendimi të publikohet, fituesi vihet në dijeni të fitimit të çmimit.

Kush ka më shumë shance për të fituar?

Novelistët janë autorët që kanë rrëmbyer më së shumti çmimin Nobel.

* Çmimi Nobel në Letërsi nuk mund t’i hiqet fituesit pasi ai e ka marrë. Për 50 vite, çdo gjë nga mënyra e përzgjedhjes së tij mbetet sekret.

Top Channel