Kim Jong-un nën arrest shtëpie?

09/10/2014 00:00

Lideri koreano-verior, Kim Jong-un, nuk është parë në publik prej më shumë se 1 muaji, duke nxitur spekulime të ndryshme, duke nisur nga vuajtja nga përdhesi, e deri te vendosja nën arrest shtëpie.

Lideri 31-vjeçar ka dalë për herë të fundit para publikut gjatë një koncerti më 3 Shtator, në kryeqytetin e vendit Penian.

Mungesa publike e Kim ka shtuar spekulimet në lidhje me vendndodhjen e tij, teksa një raport i fundit pretendon madje se ai vuan nga sëmundje të shumta për shkak të “varësisë nga djathi”.

Media shtetërore e Koresë së Veriut raportoi muajin e kaluar se ai vuante “nga parehatia”, por nuk u specifikua asgjë më shumë.

Në Korrik, lideri pati një rënie të dukshme shëndetësore gjatë 20-vjetorit të vdekjes së gjyshit të tij, apo themeluesit të Koresë së Veriut, Kim Il-sung.

Ndërsa profesor Remco Breuker, i cili merret me studimet koreane në Universitetin Leiden në Holandë, tha për mediat amerikane se diktatori mund të jetë vendosur në arrest shtëpie. “Nuk jemi të sigurt se ku ndodhet ai, apo çfarë po ndodh. Nuk dihet nëse ai është në spital apo në arrest shtëpiak”, tha profesori.

Një tjetër profesor, Felix Patrikeeff, analist koreano-verior nga Universiteti i Adelaides në Australi, tha se kjo nuk është hera e parë e “zhdukjes” së një diktatori koreano-verior nga publiku.

“E njëjta gjë ndodhi edhe me Kim Il në vitet ’90. Ai mungoi për pak kohë, periudhë që u pa gjerësisht si një konsolidim i pushtetit”, tha Patrikeeff. Megjithatë, ai shtoi se është ende herët të dilet në konkluzione mbi mungesën e liderëve.

“Ndoshta vendi po kalon një përiudhë përshtatjeje, por është ende herët ta themi këtë. Ka të dhëna të tjera për ndryshime në udhëheqje. Për shembull, ata kanë nisur një linjë më të butë marrëdhëniesh me Korenë e Jugut. Disa zyrtarë të Veriut vizituan Jugun gjatë Lojrave Aziatike, të dielën. Ata kanë pranuar së fundi ekzistencën e kampeve të punës, duke sugjeruar një zbutje të qëndrimeve të tyre”.

Patrikeeff tha se po shihet një ndryshim i dallueshëm së fundi sa i përket propagandës koreano-veriore.

Top Channel