Irani refuzon ekspertin amerikan të IAEA

09/10/2014 00:00

Një zyrtar i agjencisë atomike të Kombeve të Bashkuara, të cilit i është mohuar hyrja në Iran si pjesë e një ekipi hetimor ndaj punimeve të dyshuara për bombën bërthamore, besohet të jetë një ekspert amerikan i armëve bërthamore, bëjnë të ditur burime diplomatike.

Agjencia Ndërkombëtarë për Energjinë Bërthamore (IAEA) bëri të ditur muajin e kaluar se Irani kishte mohuar dhënien e vizës për një prej anëtarëve të delegacionit të IAEA-s, që kishte vizituar Teheranin më 31 Gusht në përpjekje për të avancuar me hetimet prej një kohe të gjatë, ndaj atyre që agjencia e OKB-së i quan dimensione të mundshme ushtarake të programit bërthamor të vendit islamik.

Kjo është hera e tretë, që personi në fjalë nuk ka mundur të marrë lejen hyrëse, deklaroi agjencia IAEA me seli në Vjenë. Megjithatë, ajo nuk zbuloi kombësinë apo profesionin e zyrtarit të ndaluar.

Por burimet, të cilët folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, thanë se sipas tyre ai mund të ketë qenë me kombësi amerikane dhe një ekspert i armëve bërthamore. IAEA refuzoi të jepte komente të mëtejshme mbi këtë temë.

E rëndësishme është, siç thotë agjencia e OKB-së në raportin e 5 Shtatorit mbi programin bërthamor të Iranit, që “çdo anëtar i stafit, i identifikuar nga agjencia me ekspertizën e nevojshme, të ketë mundësi të marrë pjesë në aktivitetet teknike të agjencisë”.

Në një deklaratë të shpërndarë për shtetet anëtare të IAEA-së, këtë javë, Irani hodhi poshtë kritikat për refuzimin ndaj ekspertit të IAEA-së të hynte në vend, duke thënë se është e drejtë sovrane e vendit islamik të vendosë se cilin do të lejojë apo jo të hyjë në territorin e vet.

Top Channel