Kobane do të bjerë? Asnjë problem për SHBA

08/10/2014 00:00

Qyteti me rëndësi të veçantë, duke qenë edhe në kufirin mes Sirisë dhe Turqisë, i Kobanes do të bjerë nën kontrollin e Shtetit Islamik, por ky nuk është një shqetësim madhor për Amerikën. Kështu janë shprehur disa zyrtarë të lartë të administratës Obama së fundi.

Nëse Kobane do të bjerë, ISIS do të kontrollojë një pjesë të madhe të rripit kufitar mes asaj që ata vet e kanë quajtur si kryeqyteti i Raqqas, në Siri, dhe Turqisë, një zonë prej rreth 100 km.

Zyrtarët amerikanë thanë se objektivi në Siri nuk është të shpëtohen qytetet apo fshatrat, por për të shkuar drejt krerëve më të lartë të Shtetit Islamik, rafinerive të naftës dhe infrastrukturave të tjera që do të zvogëlonin aftësinë e grupit terrorist për të operuar, veçanërisht në Irak.

Zyrtarët thanë gjithashtu se shpëtimi i Irakut është një objektiv shumë më strategjik, kjo për disa arsye, përfshi edhe faktin se Shtetet e Bashkuara kanë një marrëdhënie normale me qeverinë e Irakut.

Por, të martën, një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara iu lut liderëve botërorë të ndërmerrnin veprime kundër Shtetit Islamik, pasi luftëtarët kurd të cilët po mbrojnë Kobanen po humbasin rrezikshëm terren.

“Ata po mbrojnë veten e tyre me kurajo të madhe. Por, tashmë janë shumë pranë situatës për të mos mundur më të mbrohen”, tha Staffan de Mistura, i dërguari special i OKB-së për Sirinë. “Ata po luftojnë me armë normale, ndërkohë që ISIS po përgjigjet me tanke dhe mortaja”.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i ndihmojë ata e t’i mbrojë”, shtoi de Mistura. “Ndërkombëtarët nuk duhet të lejojnë një tjetër qytet të bjerë nën kontrollin e ISIS”.

Top Channel