Ebola, infermierja spanjolle preku fytyrën

08/10/2014 00:00

Autoritetet mjekësore në Madrid deklarojnë se kanë arritur të zbulojnë rrugën se si u infektua me virusin Ebola infermierja spanjolle.

Sipas tyre, infermierja është kujtuar se ka prekur fytyrën e saj me dorezat që mbante pasi kishte trajtuar një prej priftërinjve që ndërroi jetë si pasojë e virusit.

Teresa Romero është personi i parë që është prekur nga virusi vdekjeprurës jashtë Afrikës Perëndimore.

Më herët, një përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëroi se nga radhët e stafeve mjekësore mund të ketë infektime të tjera, edhe kur bëhet fjalë për ato të vendeve të zhvilluara.

Infermierja Romero, 40-vjeç, po qëndron në karantinë në kryeqytetin spanjoll bashkë me të shoqin, tre persona të tjerë dhe qenin e saj.

Ndërkohë, një person i pestë, që thuhet se është një koleg i zonjës Romero, u shtrua të mërkurën në mëngjes në spital pas një temperature të lehtë. Në tërësi, në Spanjë janë mbi 50 personat nën mbikëqyrje nga frika e prekjes nga virusi Ebola.

Romero kishte qenë pjesë e një ekipi mjekësor prej 30 vetësh në spitalin “Carlos III” të Madridit që po kujdesej për misionarët e infektuar kur ata u kthyen në vend nga Afrika Perëndimore.

Prifti Miguel Pajares, 75 vjeç, ndërroi jetë më 12 gusht pasi ishte prekur nga virusi në Liberi, ndërsa Manuel Garcia Viejo, 69, humbi jetën më 25 shtator pasi ishte infektuar në Sierra Leone.

Top Channel