Britani, policia hetim “komplotit islamik”

08/10/2014 00:00

Agjentët e Scotland Yard në Britani po marrin për të dytën ditë rresht në pyetje katër persona, të dyshuar për përfshirje në një komplot të tipit islamik.

Personat në fjalë, të moshave nga 20 në 21 vjeç, u arrestuan në një seri operacionesh të policisë gjatë ditës së martë. Njëri prej tyre, për shkak të rezistencës u neutralizua me një pistoletë elektrike.

Sipas raportimeve online të BBC, njëri prej tyre quhet Tarik Hassane, nga zona perëndimore e Londrës.

Burime zyrtare deklarojnë se operacionet e policisë mund të kenë shmangur fazat fillestare të planit për kryerjen e një sulmi terrorist në Mbretërinë e Bashkuar.

Në bazë të ligjit për terrorizmin, të dyshuarit mund të mbahen nën ndalim dhe pa një akuzë të ngritur për 14 ditë. Komisari i policisë metropolitane, Bernard Hogan Howe deklaroi se bëhet fjalë për një rast shumë serioz.

“Janë një seri arrestimesh të kryera në javët e fundit, që të marra së bashku konfirmojnë se kundërveprimi ndaj terrorizmit ka ndryshuar”, deklaroi oficeri i lartë.

“Është një kundërveprim më intensiv dhe ne duhet të jemi sa më ndërhyrës, pasi gjithçka është e lidhur me Sirinë dhe Irakun”, ka saktësuar ai.

Autoritetet britanike të sigurisë besojnë se mbi 500 shtetas britanikë kanë udhëtuar për në Irak dhe Siri për të luftuar përkrah Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera militante.

Një numër i konsiderueshëm banesash dhe automjetesh u kontrolluan të martën nga agjentët në zonën perëndimore dhe atë qëndrore të Londrës, në kuadër të hetimit.

Top Channel