“Fenomeni” Ronaldo bën “poker” altarësh

07/10/2014 00:00

“Fenomeni” do të ngjitet sërish në altar. Luis Nazario de Lima, i njohur në të gjithë botën si Ronaldo, është gati të martohet për të katërtën herë në jetën e tij.

Këtë herë me bukuroshen Paula Morais, të dashurën e tij prej vitit 2012, edhe pse lidhja ka pasur të përpjetat dhe tatëpjetat e saj.

Martesa do të zhvillohet në Prill, në plazhet e Buzios, rreth 170 km nga Rio de Janeiro. Lajmi bëhet i ditur nga faqja e internetit “Uol Esporte”, e cila shpjegon se janë parashikuar 3 ditë festime e më shumë se 1 mijë të ftuar.

Burimi duket anonim, por në njoftim shkruhej: “Ronaldos dhe Paulas u pëlqejnë festat dhe me shumë mundësi gjithçka do të zgjasë më shumë se 1 ditë. Dasma është fiksuar për në fundjavën nga 18 deri më 20 Prill, kur dhe festohet Dita Kombëtare e Brazilit. (Më 21 Prill i bëhet homazh patriotit Tiradentes).

Kjo është martesa e katërt e “fenomenit” brazilian, pas atyre me Milene Domingues, Daniela Cicarelli dhe Bia Anthony. Po kaq janë edhe fëmijët e tij: Ronald 14 vjeç, me Dominguesin; Maria Sophia dhe Maria Alice, respektivisht 5 dhe 3 vjeçe, me Anthony; dhe në fund Alexander, 4 vjeç, me modelen braziliane Michele Umezu, me të cilën Ronaldo ka pasur një marrëdhënie jashtëmartesore.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel