8 vjet nga vrasja e Anna Politkovskaya

07/10/2014 00:00

Shtatë tetorin e tetë viteve më parë do të vritej me armë zjarri në
ashensorin e pallatit ku banonte gazetarja ruse Anna Politkovskaya.

Dënime të ashpra për të gjithë të pandehurit, mes të cilave dy të përjetshme, janë dhënë përgjatë procesit gjyqësor disavjeçar, që u mbyll 9 qershorin e këtij viti.

Por pavarësisht kësaj, mbi vrasjen nuk është hedhur tërësisht dritë, pasi hetuesit ende nuk kanë zbuluar urdhëruesin apo urdhëruesit e vrasjes së gazetares, që jo pak herë “i vinte shkopin ndër rrota” Kremlinit.

Gjyqtari Pavel Melekhin ka dënuar me burgim të përjetshëm vrasësin Rustam Makhmudov dhe dajën e tij Lom Ali Gaitukayev, të akuzuar si organizatorë të ekzekutimit.

Të dy ata janë çeçenë, sikurse dhe vëllezërit Rustam, Dzhabrail dhe Ibraghim Makhmudov, të konsideruar si bashkëpunëtorë pasi kanë ndjekur viktimën dhe kanë lajmëruar vrasësin në momentin e mbërritjes së saj.

Ata kanë marrë dënime që variojnë nga 12 në 14 vjet burg për secilin. Ndërkohë, në burg për 20 vjet do të rrijë edhe shefi i policisë moskovite Serghiei Khadzhikurbanov, një tjetër organizator i vrasjes.

Bëhet fjalë për dënime të ashpra, por të pandehurit i hedhin poshtë akuzat dhe avokati i tyre mbrojtës ka deklaruar se do ta apelojë vendimin.

Në çdo rast mbetet për t’u kuptuar se kush ka dashur dhe urdhëruar vdekjen e Politkovskaya, një gazetare gjithmonë e gatshme për të denoncuar qëndrimin autoritar të qeverisë së Vladimir Putin dhe abuzimet e shumta të forcave ruse në Çeçeni.

Menjëherë pas vendimit, djali i gazetares, Ilya nënvizoi se gjëja më e rëndësishme është identifikimi i urdhëruesit të vrasjes. “Dhe për aq kohë sa ky aspekt thelbësor i çështjes nuk do të jetë sqaruar, ne nuk do të jemi të kënaqur”, ka thënë ai.

Në të njëjtën mënyrë e mendon edhe Serghiei Sokholov, nëndrejtor i gazetës ku punonte Politkovskaya, “Novaia Gazeta”, sipas të cilit hetimet duhet të vazhdojnë derisa të zbulohet porositësi.

Top Channel