Shtëpia e Bardhë, “shuplakë” Netanyahut

06/10/2014 00:00

Shtëpia e Bardhë ka refuzuar kritikat e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, me një përgjigje fshikulluese gjatë së hënës, duke e akuzuar atë se po refuzon të njohë se mbështetës kanë qenë Shtetet e Bashkuara ndaj Izraelit përgjatë viteve.

Marrëdhëniet e tendosura prej një kohe të gjatë mes Presidentit Barack Obama dhe Netanyahut, duken se janë thelluar edhe më tej pas vizitës së liderit izraelit në Shtëpinë e Bardhë, javën e kaluar.

Netanyahu tha, gjatë një programi të CBS të dielën, se kritikat e Shteteve të Bashkuara për lëvizjen e Izraelit për ndërtimin e një blloku të ri hebrenjsh në Jeruzalemin Lindor ishin “në kundërshtim me vlerat amerikane”.

Por, në fjalimin e shkurtër informues të tij, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest tha: “Duket jo e rastësishme për të, të përpiqet të mbrojë veprimet e qeverisë së tij, duke thënë se përgjigjia jonë nuk reflekton vlerat e amerikanëve. Fakt është se politika amerikane ka qenë e qartë dhe e pandryshuar pavarësisht administratave të ndryshuara me kalimin e kohës, qofshin ato demokrate apo republikane”.

Më tej Earnest shtoi: “Kundërshtojmë çdo veprim të njëanshëm, i cili synon të paragjykojë statusin përfundimtar të problemeve, përfshi edhe statusin e Jeruzalemit. Këto veprime do të ishin legjitimisht të bazuara vetëm përmes negociatave të drejtpërdrejta mes palëve, gjë për të cilën Presidenti aktual i SHBA-ve ka punuar fort për ta lehtësuar”.

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë ishte një mbrojtje e gjatë e politikave të SHBA-ve kundrejt Izraelit, të cilat bazoheshin pikërisht përreth temës së “vlerave amerikane”, të cilat Netanyahu i vuri në diskutim.

“Fakt është se, kur vjen puna te vlerat e amerikanëve, janë pikërisht këto vlera që i shtohen mbështetjes së palëkundur të këtij vendi ndaj Izraelit. Janë vlerat amerikane, që na kanë udhëhequr të luftojmë në mbrojtje të tyre dhe në sigurimin e financimeve të nevojshme për të rritur sigurinë e Izraelit në mënyrë që të jetë i paprekshëm”.

Earnest tha se ishte financimi i Shteteve të Bashkuara për sistemin izraelit “Iron Dome”, i cili shmangu rrezikun që raketat e Hamasit të godisnin objektiva izraelite dhe civilët izraelitë. “Janë pikërisht vlerat amerikane, që na kanë shtyrë ne të financojmë dhe ndërtojmë një sistem si Iron Dome, që mbrojti jetët e qytetarëve të panumërt të pafajshëm të Izraelit”, tha ai.

Top Channel