Shefi i NATO-s, vizitë në Poloni

06/10/2014 00:00

“Plani i NATO-s për të forcuar praninë e saj ushtarake në Europën Lindore nuk shkel marrëveshjen e arritur pas Luftës së Ftohtë me Rusinë”, tha gjatë një vizite në Poloni Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në një bazë të forcave ajrore në Poloninë Qendrore, Stoltenberg tha se ai ishte i angazhuar për zbatimin e një plani force për sigurinë e vendeve anëtare të NATO-s në Europën Lindore.

Moska ka thënë se shtimi i pranisë ushtarake nga Perëndimi në Europën Lindore mund të shkel një marrëveshje të arritur në vitin 1997 mbi llojin dhe madhësinë e forcave ushtarake të NATO-s në ish-shtetet sovjetike.

I pyetur në lidhje me paktin në një intervistë në bazën ajrore “Lask”, Stoltenberg ka thënë për “Reuters” se prania ushtarake e NATO-s ishte në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të bllokut të udhëhequr nga SHBA-ja.

“Nuk ka asnjë kontradiktë ndërmjet shtimit të pranisë së forcave ushtarake në këtë rajon dhe respektimit të rendit ndërkombëtarë bazuar në rregulla”, tha ish-Kryeministri norvegjez, Stoltenberg.

Shefi i mëparshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka kritikuar vazhdimisht veprimet e Rusisë në Ukrainë.

Top Channel