Kobana, shfaqet flamuri i ISIS. Kurdët: Janë në periferi

06/10/2014 00:00

Militantët e Shtetit Islamik kanë ngritur flamurin e tyre në një ndërtesë në periferinë lindore të qytetit sirian të Kobanes, në kufi me Turqinë, gjatë së hënës, pas një sulmi prej të paktën 3 javësh, por mbrojtësit kurd të qytetit deklarojnë se ekstremistët nuk kanë hyrë ende në qendër të qytetit.

Një flamur i zi, që i përket Shtetit Islamik, ka qenë i dukshëm edhe nga kufiri turk, i vendosur mbi një ndërtesë 4-katëshe shumë pranë vendit të përplasjeve intensive gjatë ditëve të fundit.

Burime lokale brenda Kobanit konfirmojnë se grupi ka ngritur flamurin e vet, por shtojnë se forcat kurde i kanë zmbrapsur avancimet e tyre deri më tani.

“ISIL vetëm sa ka vendosur flamurin në një prej ndërtesave të krahut lindor të qytetit”, thotë Ismail Eskin, një gazetar i ndodhur në qytet. “Ai nuk ndodhet brenda qytetit, por në periferinë lindore të tij. Ata ende s’kanë hyrë në qendër të Kobanes, ndërkohë që përplasjet intensive po vazhdojnë”.

Dega radikale e al-Qaedas po lufton për të pushtuar qytetin e dominar kryesisht nga kurdët, pasi ka zgjeruar kontrollin e saj në rajone të tëra në Siri dhe Irak gjatë muajve të fundit.

Sulmet ajrore nga Amerika dhe shtetet e Gjirit kanë dështuar të ndalin avancimin e islamikëve, të cilët kanë rrethuar qytetin nga tri krahë dhe e kanë goditur atë me artileri të rëndë.

“Gjatë ditës, shpesh Shteti Islamik avancon, por luftëtarët YPG i zmbrapsin. Ka ende luftime shumë pranë qendrës së qytetit, por ata nuk kanë hyrë ende brenda tij. YPG po rezistojnë ende”, thotë Paëer Mohammed Ali, një përkthyes për Partinë e Unionit Demokratik të Kurdistanit (PYD) nga brenda Kobanit.

Mortaja kanë rënë në zonat e banuara në Kobani dhe bombardimet kanë goditur edhe territorin turk gjatë ditëve të fundit, por kurdët bëjnë apel për ndihmë, një apel që deri më tani nuk ka marrë përgjigjen e duhur.

Shteti Islamik kërkon të marrë Kobanin për të konsoliduar rrëmbimet dramatike në Veri në Irakut dhe Sirisë, në emër të versionit ekstremist të Islamit Sunit, që ka shokuar mbarë Lindjen e Mesme.

Prerjet e kokave, vrasjet masive dhe torturat kanë përhapur frikën nga ky grup në të gjithë rajonin, teksa qindra fshatra janë boshatisur dhe patrullohen nga kamionë me flamujt e zinj të Shtetit Islamik.

“Nëse ata hyjnë në Kobana, atëherë ky qytet do të kthehej në një varr masiv për ne dhe për ata. Nuk do t’i lejojmë të hyjnë këtu për sa kohë të jemi gjallë”, tha Esmat al-Sheikh, kreu i Autoritetit Mbrojtës të Kobanes. “Ne ose do të fitojmë, ose do të vdesim. Do të rezistojmë deri në fund”, shtoi ai.

Top Channel